Flokenaja


Me botoks, nuk ju duhet të mendoni !

Botuar tek “Gazeta”, dt 22/04/2010

Si të gjithë ata që e kanë zakon të hedhin ndonjë rresht, në një file të çfarëdoshme kompiuteri, titulluar provizorisht si; document 1, e më pas, formëzuar e rradhitur në ndonjë faqe gazete ( në faqe të fundit ose të parafundit, pasi kreun e gazetave e uzurpon gjithmonë ideologjia ), më ndodh edhe mua të lexoj herë pas here përshtypjet e lexuesve.
Dua t’i lë mënjanë polemikat, debatet apo vrullet nevralgjike të atyre, të pickuarve keqaz prej ndonjë fraze a ndonjë rreshti gërvishtës e çapraz, e të merrem pakëz me përshtypjet pozitive, të llojit; “uhh, sa kam qeshur me shkrimin tënd !”.
Natyrisht, vlerësimet bëjnë mirë e përkëdhelin sedrën e çdokujt që merr mundimin të hapë një file të re, me titull; document 1“,  në kompiuterin e tij. E sigurisht që edhe sedra ime nuk ka se si të bëj përjashtim nga e gjithë kjo, në të mijtën e çastit ajo do ndihet e përkëdhelur. ( edhe pse e ka zakon të fluturojë ulët… pasi për fluturimet e ulëta nuk nevojitet biletë e shtrenjtë e klasit të parë ).
Por vetëm në të mijtën e çastit ama…
Më pas gjithçka shfryhet si një tullumbace e çpuar, e cila i lë vendin ndonjë pyetjeje me mëndjen time; - Po mirë që u gajase sa të dolën lotë, por në fund, a e rrudhe ndopak ballin ?
Sepse nëse qëllimi i shkrimit tim, me titull provizor; document 1“, do të ishte thjesht e vetëm; gajasja e lexuesit, unë, fare mirë mund të gjeja mënyra të tjera, më të lehta, e shumë më zbavitëse se qëndrimi “spoliatrozik” mbi ekranin e laptopit, si përshembull; të vishesha me rroba me kuadrata, “të mballosja” një hundë të kuqe si klloun dhe; “u kry”; edhe ashtu do arrija ta gajasja lexuesin, komodshëm madje…
Ose, ose, një mënyrë tjetër, mund të qe edhe të vizatuarit e një palë mustaqeve mbi buzë, e hyrja në parlament për të plotësuar kuotën e tridhjetë përqindëshit, të grave shqiptare në vendim-marrje.
Sigurisht edhe ashtu do arrija t’i gajasja lexuesit unë.
Sepse siç edhe e dimë të gjithë, për të qenë përfaqësuese e denjë e gjinisë së ashtuquajtur; “delikate”, në parlamentin tonë, kusht themelor janë dhe mbeten; mustaqet.
Pyetja që bëra diku më lart mbi vetull-rrudhjen, është një pyetje që më përsëritet vazhdimisht në tru, e që po vazhdimisht më bën të mendoj se ndonjëherë, document 1″  nuk ia ka arritur qëllimit. Por nuk dua të hallakatem këtu e të merrem me luftën që i ka shpallur vetull-rrudhjes, botoksi, sepse ndoshta për këtë mund të flas më poshtë…
Ndoshta them… se ndoshta jo…ose-ose, në ndonjë shkrim tjetër… ku i dihet…
Por sidoqoftë, që të mos e haroj; ja një ide se si mund të formulohet një slogan publicitar, i suksesshëm mbi këtë produkt kaq frytdhënës; ” - Me botoks, juve nuk ju duhet të mendoni” – do të ishte slogani, shkruar me gërma të mëdha, mbi ballin e hekurosuar të një gruaje, e cila duket sikur nuk mendon qyshkur ka lindur. Ndërsa pas shpinës së saj, duket një turmë e stërmadhe njerëzish, edhe ata me ballë të sheshuar, e që nuk mendojnë gjithashtu…
Kështu pa e zgjatur shumë, sot, o i dashur lexues, unë kam vendosur t’i thërras mendjes e të ndryshoj mënyrën e të shkruarit.
Po, po, mos më shiko si i çoroditur nëpër germa. Sot, unë kam vendosur të të bëj me çdo kusht të rrudhësh vetullat ose të qash. Ndaj bëj gati për çdo rast, një shami të madhe, me të cilën të shfrysh hundët e të fshish lotët njëherazi.
Prit…priiit…. më ndiq pra… ku po ikën ? Kafja e mbasdites dhe uji pa gaz në tavolinën vegjetative, të barit që frekuenton ti, apo pamja që shihet përtej xhamave, e cila me që ra fjala, ashtu si mua, të ka ardhur në majë të hundës, mund të presin. ( e me që ra fjala sërish; sa e shtrenjtë kafja atje… )
Prit pra ! Kemi gjëra më madhore për të zgjidhur ne, o bashkëvuajtës ! Unë nuk mund të të lë të ikësh pa më lexuar deri në fund. Unë nuk mund të të lë të ikësh pa të bërë, për një herë të vetme, të qash, apo të  rrudhësh vetullat.
Mjaft më me të qeshura !
Pra, ku e e lamë, o bashkëvuajtësi im, lexues ?…
-Tek shamia - do thuash ti i bezdisur.
Dhe nuk mund të them se nuk ke të drejtë. Ti sidoqoftë, mbetesh një ndjekës i vëmendshëm.
Mirë e ke ti, por puna është se unë akoma nuk kam vendosur për çfar të të flas. Më prit të mendohem pakëz. Po mendoj për ty, si për veten time. Ja përshembull; çfar teme do më bënte mua të qaja pa shumë mundime?
Hmm…
Më duket se e gjeta.
Do të të flas për qentë. Dhe pikërisht për qentë e rrahur.
I ke vrejtur ndonjëhere sjelljet e një qeni që e kanë rrahur për vdekje ? E ke vënë re si sillet ai kur merr goditjen e parë ? Se si, në fillim i kundërvihet me aq dinjitet rrahësit, e pastaj, me goditjen dytë, të tretë, të katërt, ai vetëm sa kuiset mbyturazi, e dinjiteti i rrëzohet i gjithi përtokë, atje ku ai përplas putrat nga dhimbja e nuk arrin t’i rezistoje më rrahësit? E ke vënë re ?
Nëse ndonjë studies kafshësh do të vëzhgonte kujdesshëm sjelljet e tij, të mëvonshme, ai do arrinte në dy përfundime që dihen, që të dy të vërtetë, por krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri;
Rasti a;
- Pas rrahjes, qeni do t’i lehë egërsisht çfarëdolloj qënijeje që do t’i afrohet, e sapo t’i jepet mundësia do ta kafshojë…
Rasti b;
- Pas rrahjes, qeni do t’i tundë bishtin gjithë përulje e do t’i serviloset çfarëdolloj qëniejeje që do t’i afrohet, e madje do t’i lëpijë edhe këpucët.
Sudiuesi do arrinte në përfundimin se të dy rastet; edhe ai a, edhe ai b, janë shenja të pastra, dalluese, të shformimit të personalitetit të qënies.( kujdes këtu; qënies dhe jo qenit ).
Natyrisht, ti bashkëvuajtës do më pyesësh përhumbur, nëse të qënit shqiptar përfshihet tek qënia.
- Po, sigurisht - do të të përgjigjem unë, - edhe pse kjo mund të të ngjajë si një lojë fjalësh për të të hutuar ( në të vërtetë është… pse mos të të manipuloj njëçikë ?. si komb historikisht kemi dhënë prova se dimë mjaft mirë të manipulohemi, e vetë-manipulohemi, ashtu si asnjë komb tjetër. ).
Kështu ji i duaruar e më lër ta vazhdoj manipulimin…
Po pse, a nuk ke parë ti lexues, kur ke shkuar jashtë shtetit, ndonjë tabelë ku shkruhej; “- Ndalohen qentë dhe shqiptarët”? Po ç’them dhe unë, të pyes për jashtë shtetit, kur ti fare mirë, mund ta kesh vënë re këtë gjë, edhe këtu; brenda shtetit. Edhe këtu “shqiptarët” nuk është se i kanë dhe aq qejf “shqiptarët”.
Kështu nëse do e pyesnim atë vëzhguesin e sjelljeve të qenve, se në cilin rast bëjmë pjesë ne, ( shqiptarët që nuk i durojmë dot shqiptarët ), ai do përgjigjej pa u menduar shumë; - tek rasti b. Për ta shpjeguar më saktë; studiuesi  do n’a klasifikonte tek rasti i bisht-tundjes.
- Të rrahur nga gjithfarë ideologjish - do thoshte ai, -  nga ideologjia komuniste, ( rasti a, - qeni që i leh gjithkujt ) dhe nga  një  mish-mash, anestezik, i mëvonshëm, ( rasti b - qeni që i tund bishtin të gjithëve ), shqiptarët kane arritur në një fazë ku i japin të drejtë gjithkujt që u kërcënohet me një rrahje të re… ose edhe mund të mos u kërcënohet fare, por sidoqoftë, tashmë, nuk rrinë dot pa e tundur bishtin.
- Pa prit pak, unë ende nuk të kam bërë të qash ? Po si është e mundur ? Mua gjithmonë më vjen për të qarë kur dëgjoj përfundimet e studiuesve për qenin e rastit b… dhe një dëshirë e çuditshme për ta braktisur apo dhuruar dikujt, nëse ai është qeni im…
Por nëse do të rrekeshim të shpjegonim bisht-tundjen me shembuj konkretë, një shembull bindës do të ishte ky zelli ynë i madh për t’iu bisht-tundur të huajve.
Ja përshembull; kohët e fundit u tha nëpër media se një studiues i huaj e ka quajtur gegnishten dialekt seksi. Me sa duket, nuk n’a ka qenë kurrë e mjaftë gegnishtja  elegante e Martin Camaj-t për të n’a bindur për këtë gjë ne shqiptarëve.
Jo, duhej me çdo kusht të vinte një i huaj e të n’a e thoshte këtë, që pas kësaj, ky fakt të tingëllonte lehtësisht i besueshëm në veshët tanë, shumë më i besueshëm se opinioni i ndonjë shqiptari “të parëndësishëm”. ( po aq “të parëndesishëm” saç, ndoshta, ai studiuesi i huaj në atdheun e tij ).
E menjëherë pas kësaj o lexues, duhej të shkuleshin me qindra krijues e krijuese ( zot, sa e urrej këtë fjalë, a thua se të vetë-quajturit e kanë rrëmbyer me dhunë eskluzivitetin e saj ) e të shkruanin derisa t’u këputeshin gishtat në gegnisht, madje nga shkruesit e zellshëm, pati plot dhe nga ata që u bënë qesharakë në sytë e botës, pasi këtë dialekt nuk e kishin “të mëmës” siç i thonë një fjale në toskërishte.
Upss… më fal që shkrova; “toskërishte”, në vend që të shkruaja; “tosknishte”, sipas modës së fundit.
Gjithashtu, pati plot dhe nga ata që kërkuan ta bënin gegnishten gjuhën tonë, zyrtare. Aq sa një ditë, në tirat përkthyese të një filmi në një stacioni shumë të dëgjuar, televiziv, vura re që qe shkruar; “troq” në vend të fjalës; “troç”.
Duhej të n’a e thoshin të huajt këtë, ashtu siç duhej të n’a thoshin që atdheu ynë ka vajza shumë të bukura. Që kur e thanë të huajt këtë, djemtë shqiptarë filluan t’i shohin me më vëmendje vajzat rrotull tyre, por e theksoj, edhe një herë; kjo ndodhi vetëm se këtë n’a e thanë të huajt…
Pa duhej të n’a thoshin gjithashtu që ne kemi alpe të bukura. Menjëherë u shkulën shqiptarët siç e kërkonte moda, të gjithë nëpër kampingje malore, edhe këtë duhej të n’a thoshin ata, se ç’është e vërteta ne kujtonim se male kishin vetëm të huajt, sepse ashtu siç n’a duket se ata dinë e kanë gjithçka… ata fare mirë mund të kenë edhe male…
Pa duhej të vinte në një studio televizive, shqiptare, Fabrizio Corona, një kapadai i pagdhendur, e ta gjunjëzonte intervistuesin shqiptar mu aty në shtëpinë e tij, e askush nuk do t’i thoshte gjysëm fjale, por vetëm do ta duartrokiste me duartokitje entuziaste; të blera e të pa-blera, e mbas duartrokitejve, publiku do t’i lëshonte një “uuuuuu”, ulërimë ekzaltuese, e miratuese, të stërzgjatur, kapadaiut, çdo herë që ai i kthente një përgjigje fyese intervistuesit, dhe s’ka gjë se prezantuesi shqiptar mund të kishte lexuar rafte të tëra me libra, më shumë se ai.
Ç’është e vërteta lexues, ato çaste nuk di pse pata një dëshirë të fortë të merrja telekomandën e të ndëroja stacion, dhe po ta mendosh hollë-hollë, ndjesia që pata, ishte e ngjashme me dëshirën për braktisje, ndaj qenit në rastin b ( lexo  më sipër ).
 
Po sa shkoi ora ? Pse nuk thua që qenka bërë vonë…
Tani, më, unë nuk di ç’të të them tjetër, pasi më duhet ta ndryshoj këtë qëndrim spoliatrozik mbi kompiuter, se nuk dua të sakrifikohem deri në këtë pikë për hir të një manipulimi.
Po nëse nuk të kam manipuluar deri tani, e nëse nuk të kam bërë sadopak të vetull-rrudhesh, do të thotë që do e lë këtë mision për shkrimin tjetër.
Në shkrimin tjetër, në document 2“, ndoshta do të të flas për Big Brother-in, për ngohësit e divanëve dhe gromësimat e tyre, “artistike”.
Ndoshta them… ose ndoshta jo… ku i dihet…
Po deri atherë, tani, përpara se ti t’ia mbathësh në atë kafenenë e mërzitshme, me pamje po të mërzitshme, por që kushton shtrenjtë,  ngrihu e dil njëherë përpara pasqyrës dhe kqyre me kujdes atë boshllëkun tënd midis vetullave; - hë, a është rrudhur ndopak ?
Nëse jo… me kë merrem dhe unë…
 
Arlinda G.
 
 
Shënim i autores:
Ka shumë të ngjarë që edhe ky shkrim, njëlloj si shumë shkrime të tjera, të shkaktojë ndonjë valë të re, protestash, të cilat shprehin “vullnetin e tyre, të lirë” duke i vendosur gjithfarë epitetesh autores.
Por kjo është fare e parëndësishme.
E rëndësishme është që; -Me botoks, juve nuk ju duhet  të mendoni !

Retinë

79742550.jpg

Hëna somnaumbulet mbi qiejgërvishtës,
kuaj të ngrirë në dëborë,
më vështrojnë me sy të pikëlluar…
 
Ecjakem labirintheve,
t’i shpëtoj pikëllimit të tyre,
gjuhët e akullta të natës,
më lëpijnë tëmthat që therrin fort,
e jastëku i ëndrrës, më shënon mbi fytyrë,
dizenjot e tij, të shqetësuara…
 
Oh… nuk të gjej dot…
ka njëmijë drita ky qytet,
ky qytet që kurrë nuk dita ta bëj të më dojë…
njëmijë drita të çmendura,
e njëmijë suprina indiferente,
që rrezëllijnë ftohtë,
e më copëtojnë shëmbëlltyrën…
 
Lënë peng mbi qelq,
sytë e mjegulluar,
gjysmë-mollëzën; rrëzuar një qerpik,
e fijëza flokësh pafund…
 
që ti kërkon t’i ngjisesh,
si copëzat e grisura të një fotografie…
 
Oh… unë  e di,.
e vështirë t’i ndërtosh fytyrën pengut,
në mes të vitrinave…
 

Hëna somnaumbulet mbi qiejgërvishtës,
pikëllim i ngrirë në retinë,
përndjek udhëtimin tim, të pamundur,
drejt teje…
 
Arlinda G.

Kur injoranca vishet me frak

Ndonjëherë Tirana më ngjan si një kotec, një kotec i madh e i zhurmshëm, ku të gjithë kakarisin, askush nuk e dëgjon kakaritjen e tjetrit, e çdokush beson që kakaritja e tij është më interesantja, më melodiozja, më luftarakja, më autoritarja, më shpartalluesja…
Për të kuptuar këtë mjafton të ndezësh televizorin; të hënën-mbrëma, të mërkurën-mbrëma, të enjtenˉmbrëma, të premten-mbrëma, hmm… po ç’them dhe unë, e thënë shkurt; në të gjitha “mbrëmat” që ka java, për të parë, thuajse në çdo stacion, të rehatuar këmbë mbi këmbë, nëpër kolltuqet luksozë, me nga një bllok shënimesh krejt të bardhë, e stilograf përpara sa për skenografi televizive, e ndoshta, edhe syze pa numër mbi hundë për të plotësuar figurën intelektuale; ata, të shumë-kërkuarit; kakaritësit televizivë.
Gjatë viteve modeli i flokëve të tyre ka ndryshuar dukshëm. Janë prerë të djegurat, janë xhelosur baluket, apo janë mbjellë flokë të tjerë, aty, mu në pjesën strategjike të kapakut të kokës, nga ku elaborohen analizat e tyre, të çmuara, sepse, tek e fundit, edhe estetika ka rëndësinë e saj.    
Gjatë viteve edhe ngjyrat e kollareve të tyre janë bërë më “soft”, ato ( të paktën ato ) nuk bërtasin siç vite më parë e nuk bëjnë më grusht me sfondin e këmishës apo pigmentin e kostumit.
E vetmja gjë që nuk ka ndryshurar tek ata gjatë viteve, është mënyra e kakaritjes. Kakaritësit po njëlloj vazhdojnë të fyhen e shahen, përkatësisht, me të kundërtit e tyre, duke u treguar me gisht, dhe të shpupulosen po aq egërsisht, siç atherë kur i kishin flokët e djegur, të pa-xhelosur apo të rënë në çaçkë të kokës. E padyshim, çdo betejë e ashpër shpupulosjeje mediatike, shoqërohet më pas, me një mbjellje të re, urgjente, puplash po aq të krekosura në kapak të kokës, siç të mëparshmet.
Ndonjëherë ngjyra e puplave ndryshon ( nga rozë në blu dhe anasjelltas ) në varësi të komoditetit akustik të sfondit në të cilin janë vendosur kolltuqet luksozë në të cilët ata janë ulur, por kjo nuk ka kurrfarë rëndësie, e rëndësishme është që ata janë gjithmonë aty, të gatshëm për t’u shpupulosur në betejat e emisioneve të mbrëmjes, të cilat n’a futen dhunshëm në jetët tona, pa u kujdesur të n’a kërkojnë leje më parë, ndërsa jemi duke zier një çaj për gripin, ndërsa shtrydhim limonin, ndërsa gatuajmë për një të ftuar për darkë, ndërsa bisedojmë me njerëzit e dashur…
E ndërkohë, bashkë me ilaçin per gripin, pashmangërisht, ti je duke gëlltitur edhe një dozë të frikshme helmi, të cilin e mbjellin, edhe në ajër, këto beteja. Ti e gëlltit atë, ashtu heshturazi, me ca gjeste të dorëzuara që tashmë nuk të çudisin më…
Sepse asgjë nuk të çudit më në këtë vend.
Për të mos folur për fëmijët, së fundmi ata i kanë lënë lodrat e kanë filluar t’i imitojne, duke praktikuar me njëri-tjetrin të gjitha versionet e mundshme të kakaritjeve dhe shpupulosjeve, edhe këta, me të njëjtën përkujdesje për elementin skenografik; bllokun bosh, stilografin pa bojë, syzet pa numër etj, etj.
E duket kaq e pamundur për ne, që një të enjte mbrema, ndërsa nëpër këto televizone shpalosen të gjitha versionet e mundshme të këtij grotesku tragjik, t’i bojkotojmë duke e fikur televizorin për disa orë, siç bëri e gjithë bota kur fiku dritat në shenjë proteste ndaj ngrohjes globale. ( ndoshta druhemi nga fjala bojkot, edhe pse ndërkombëtarët ende nuk na e kanë hequr nga fjalori… dhe për pak… ).
Për t’u bërë një kakaritës i suksesshëm, televiziv, nuk është se ka një seri kushtesh për t’u plotësuar. E keni gabim nëse mendoni se ka.
Gjërat janë tepër të thjeshta në këtë kotecin tonë.
Kështu kushti thelbësor është një dhe i vetëm; për t’u bërë një kakaritës televiziv duhet të kesh një injorancë enciklopedike në gjithçka.
E sapo shtyp pultin e televizorit kjo injorancë të vërshon e pakursyer brenda në shtëpi; “e veshur me frak”, - do të thoshte një këngë e shumë-dëgjuar e të madhit Adriano Çelentano. ( natyrisht, ata ende nuk kanë mbrritur tek fraku, por sidoqoftë gjysma e së keqes që nga kostumet prodhim turk kane hequr dorë njëherë e mirë )
Sigurisht që ka dhe një sërë nën-kushtesh të tjera, sa për garniturë, ndër të cilët njëri është të thuash fjalën:”normalisht” dhjetë herë rresht, brenda një fjalie, dhe pikërisht atje ku flitet për gjëra krejt anormale. Madje, mundësisht ta shqiptosh atë me tonin më të qetë, të mundshëm, ndërsa je duke folur për një ngjarjen e rëndë: “…dhe normalisht qyteti do të përmbytej…”, “… dhe normalisht X-in e ekzekutuan…” etj, etj… 
Por le të kthehemi tek koteci.
Besoj ju kujtohen të gjithëve ato filmat shqiptare të epokës së realizmit socialist, mbushur plot me efekte akustike, të tepruara. Besoj ju kujtohet që në çdo film të prodhuar nga Kinostudio Shqiperia e Re, ka patur nga një fragment, ( i njëjti gjithmonë ) me shi e suferinë, ( asnjëherë nuk e  kam kuptuar përsenë ) ku era ulërin hiperbolikisht, e ku diku, në një fshat të largët në të cilin zhvillohen ngjarjet e filmit, kakarit një gjel ( edhe ky, i njëjti gjithmonë, siç duket edhe për Kinostudion ata kanë qenë me tollonë ) për t’i treguar botës e shikuesve të filmit që agu është duke mbrritur. ( mbrritje figurative, një paralelizëm propagandesk me dritën e partisë. )
Të gjithë këtë parantezë e shkrova për t’iu kujtuar edhe një herë, në rast se e keni haruar, kakaritjen normale të një gjeli të zakonshëm në një kotec tradicional. ( Edhe mund ta keni haruar, në ditët e sotme gjelat ushqehen me koncentrate, e si rrjedhojë kanë ca zëra të çuditshëm transgjinorë. )
Që t’i biem shkurt, gjeli i vërtetë, kakarit vetëm një herë, diku aty rreth orës pesë të mëngjesit për t’i lajmëruar agun të zotëve të shtëpisë.
Ndërsa kakaritësit televizivë, duken shumë  herë më të papërtuar se ai gjeli i mirë, në fshatin e largët, në filmin e largët, të epokës po aq të largët, të kohërave socialiste. E keqja është se këta ( kakaritësit pra ! ) e lajmërojnë mëngjesin për gjatë gjithë kohës së mundshme. Në mbasdite, në darkë… gjithkur… Në çdo orë ata janë gati të të bëjnë be e rrufe, e të të argumentojnë me analiza të hollësishme këtë mbrritje.
Dhe as mos guxo t’i kundërshtosh. Nese po, ata do heqin këmbën nga mbi këmbë, do të ulin edhe më, syzet mbi hundë,  do rrëzojnë me arrogancë stilolapsin skenografik, që nuk shkruan, mbi tavolinë, njëlloj sikur hedhin dorashkën për të të ftuar në duel, dhe do të kërcënojnë serbes që do të të bojkotojnë në analiza…
E pastaj… jeta jote o shikues… ç’kuptim do të kishte ?…  
E mos thuaj tani që je duke nuhatur nota prej snobeje në këto rreshta. C’grotesk ! Pa më thuaj pak, si mund të jesh snob në një kotec ?
Brenda këtij koteci, ti shumë-shumë mund të jesh një pulë e trullosur që shastiset prej analizave të çdo orë e çastit/një individ i thjeshtë që ka dremitur paksa mbi divan me telekomandë në dorë, e që zgjohet papritur prej kakaritjeve e britmave që vijnë nga ekrani, dhe hedh sytë jashtë dritares, në terr, me shpresën se ka mbrritur agu, por që i duhet shumë pak të permendet e të kuptojë që agu do dhe shumë  kohë që të mbrrijë. E ndërkohë vitet e tua më të rëndësishme i harxhon atje, e rrasur në kotec, me fytyrën puthitur fort pas deriçkës së vogël, me shpresën se do dallosh ndonjë fijëzë të mekur shprese, se dikur, një ditë, ai do të mbrrijë…
Por siç dhe e thash më lart, për gjithë këtë anormalitet brenda këtij koteci shumë-pupëlsh, i cili stërbetohet nëpër kakaritje luftarake që agun e kemi vetëm një hap larg derës, ( ndokush mund edhe të guxojë të thotë qe ai ka ardhur por ne nuk jemi në gjendje ta shohim ), duhet ta ketë fajin ushqimi koncentrat, sepse, siç vazhdoj ta them, ditët e sotme nuk gjenden kollaj prodhime bio ( është e njëjta shterpësi si e kohërave të tollonave ).
E deri sa të mbrrijë agu, le të mirëpresim përnatë injorancën enciklopedike… “të veshur me frak”….
 
Arlinda G.
 
 

Thënie

Mos bëj sot atë që mund ta bësh nesër.

E ç’vlerë ka lumturia? Ajo nuk t’i blen dot paratë

Sikur vetëm Perëndia të më jepte një shenjë të qartë … si për shembull të më hapte një llogari të madhe në një bankë zvicerane

Idealisti është ai që, kur zbulon se trëndafili ka erë më të mirë se lakra, konkludon se me të do të bëhet edhe një supë më e mirë.

Kur shihni dikë që pushon, ndihmojeni !

Bota është një magazinë baruti ku s’është e ndaluar të pish duhan

Mos gërhit në mbledhje. Mendo pak edhe për tjetrin përbri që përpiqet të flejë

Mos u përpiq të mësosh një derr të këndojë. Humb kohën tënde, dhe shqetëson derrin.


Bujkrobër të lumtur në facebook

         23544_1231444191773_1399181887_30558214_8074703_n.jpg
       Botuar tek “Gazeta”
 
- Nga facebook-u mësova që i kishe kaluar bukur pushimet.
- Nga facebooku u bëra merak…u bënë kohë që ti nuk poston gjë…
- Nga facebook-u e mora vesh që ata të dy u ndanë… dhe që u ndanë po në facebook…  
E ja kështu, u bënë thuajse dhjetë muaj që edhe unë i jam shtuar këtij revanshi të makthshëm postmodern, me gjithë rezervat e një njeriu që nuk e përqafon lehtësisht të renë pa u bindur mirë, e pas disa refuzimesh kryeneçe, të cilat më në fund u kandisën e u dorëzuan.
Pra u bënë dhjetë muaj që unë kam një adresë në facebook, e gjithë - gjithë, kam vetëm shtatëdhjetë e katër friends dhe dyqind e ca kërkesa grupesh, ftesash individësh, të cilave nuk u jam përgjigjur, e që shpesh i kqyr dyshimshëm, njëlloj si të jem duke përfytyruar një bombë të fshehur në trupin e një kamikazeje me fytyrë të mbuluar.
Përfundimisht është zyrtare, në komunitetin virtual unë duhet të jem njeri asocial.
E si të mos mjaftonte kjo, si natyrë e ndërlikuar që jam ( edhe kjo po bëhet zyrtare ), edhe nga ata të shtatëdhjetë e disa miq që kam, seç kam një dëshirë të pashpjegueshme t’i fshij nja dhjetë a njëzetë prej tyre. Të kuptohemi këtu, nuk kam asnjë qejfmbetje me ta, për më tepër, atyre nuk u ndihet zëri i gojës, rrinë urtë si shurdhmemecë e nuk shqetësojnë askënd. Problemi im qëndron vetëm tek sasia. Seç kam një lloj stepie të çuditshme e mos-besuese përballë sasisë. Kam një teori timen në këtë rast: nëse numri i miqve të kalon, e shumta nga pesëdhjetë, atherë duhet të marrësh automatikisht statusin e njeriut të dëshpëruar. Zyrtarisht të dëshpëruar.
E di që ti lexues që tani je duke më lexuar ( më lejo të të flas me ti ), do jesh duke ngrysur vetullat duke shprehur mos-aprovimin tënd  me këtë teori timen, por mos më kërko më tepër shpjegime, tek unë kjo është më shumë e  pavetëdijshme. Pavetëdije e koklavitur  e një njeriu të koklavitur, do e quaja unë, zyrtarisht e koklavitur !
Një element thelbësor në facebook është opsioni “like”. Ti mund të shprehësh mendimin tënd, të debatosh, të argumentosh, të kundër-argumentosh, duke përdorur këtë opsion. Për ta bërë këtë nuk është e nevojshme të formulosh fjali argumentuese sipas një rrjedhe llogjike. Jo ! Teknologjia ka përparuar aq shumë sa ti mjafton ta çosh “miun” tek fjala “like” dhe… “u kry”. ( të kuptohemi, me “miun”, nuk e kam fjalën për atë të pandehurin e pacipë që hëngri kabllin e stadiumit ). Në këtë mënyrë, vetëm me nje klik, ti ke dhënë një mendim intelektual, tepër të çmuar për shoqërinë E natyrisht për ta bërë këtë nuk të nevojitet asnjë neuron, lëri të digjen ata !
Së dyti: harmonia jote me miqtë e tu të facebook-ut, varet padyshim nga denduria e  “like”-ve që u dhuron atyre. Gjithçka varet nga parimi: “Bëj një të mirë që ajo të të kthehet mbrapsht”, që do të përkthehej: jep ndonjë “like” që dhe ty të të lajkosin me të njëjtin pathos. ( A nuk iu duket intriguese ngjashmeria e fjalës “like” në gjuhën angleze, me fjalën “lajka” në gjuhën shqipe ? )
Ja të marrim një shembull: dikush, një ditë kishte postuar në wall-in e tij, në facebook, një lajm mbi vdekjen e një regjisori të famshëm. Ky lajm rezultoi lajmi më i suksesshëm i ditës. - Pse ? - do pyesësh ti lexues,  po sepse rrëmbeu dhjete “like” përnjëherë, e kupton apo jo, ç’do të thotë të rrëmbesh dhjetë “like” që në gjuhën konkrete jo-virtuale mund të përktheheshin fare mirë: - Bëri mirë që vdiq !  
- Në facebook duhet të mendohesh mirë përpara se të bësh një koment në wall-in e ndokujt. Këtu e kam fjalën për ato komentet pa bojëra të stisura, ashtu siç të vijnë ndër mend ty. Që ta sqaroj më mirë, përpara se të bëni komentin, duhet të merrni parasysh, detyrimisht, ndjenjat e lënduara të qindra adhuruesve të individit apo individes, të cilët, të indinjuar nga komenti yt, janë gati të ngrihen e të formojnë: “Komitetin për Shpëtimin Kombëtar të të Dëmtuarit” prej opinionit tënd të drejtpërdrejtë…
Por ama në facebook mund të gjesh edhe shume “benefite” të tjera ( do shprehej “benefitikisht” një politkan i mirënjohur ).
- Të martohesh përshembull. Po si mund të ndodhë kjo ? Po ja, përveç flirteve të mundshme që ai t’i ofron bujarisht, nën sloganin: “Të gjithë flirtojnë me të gjithë “, ti mund të bëhesh fan edhe i ndonjë agjencie martesore, e cila është në gjendje të të organizojë gjithçka në lidhje me ceremoninë. Ajo merret me të gjitha, me të gjitha - me të gjitha, aq me të gjitha, sa ti edhe mund të mos jesh fare i pranishëm në dasmen tënde… ose, ose: mund të jesh i pranishëm vetëm virtualisht apo platonikisht…
- Të vdesësh komodshëm duke u bërë, po fan, i ndonjë agjencie funeralesh, edhe këtu prania jote mund të jetë e diskutueshme…
- Të botosh një roman sharlatan me ndihmën e një shtëpie botuese,  gjithashtu sharlatane, duke u mjaftuar me bërjen fan të saj, e derdhjen e pagesës në llogarinë bankare, e natyrisht, shtëpia botuese nuk e ka të nevojshme që me parë ta lexojë librin tënd. Në këtë mënyrë ti bëhesh VIP, e më pas u tag-on miqve të tu, intervistën tënde, të bujshme në gazetën Paloma. ( besoj ju kujtohet të gjithëve ajo e lajthitura… e mos u turpëroni që i keni parë çdo seri telenovelës në fjalë, sindromës sonë kolektive të atyre kohëve )
- Në facebook do gjendet patjetër edhe ndonjë “benefit” që të të shuajë etjen. Kujdes këtu, mos e shpartalloni fantazinë, fjalia e mësipërme ka vetëm kuptim të drejtpërdrejtë. Ja  përshembull:  një ditë lexova këtë fjali ( të drejtpërdrejtë ) në wall-in e dikujt që nuk jeton në Shqipëri; ” X-i  u be fan i  Alo Ujë”. Pastaj një fjali hakërryese që m’u drejtua mua me një ngarkesë emocionale inatçore:    - Po ti ç’pret ? Tundu ! Bëhu edhe ti fan i:” Alo Ujë”.
Sigurisht që është më se e kuptueshme për mua që jetoj në Shqipëri, të behem fan i “Alo Ujë”, dihet që në këtë vend uji dhe dritat mungojnë me orë e pa orë, po jam kurioze të di për atë që nuk jeton në Shqipëri; në ç’mënyrë do t’ia shuajë etjen kompania ? Ç’është e vërteta Kam haruar ta pyes… Po do kujtohem ta bëj këtë gjë në ditët në vijim
Sa për dritat, dini gjë eshte hapur ndonjë kompani me tirullin: “Alo OSSH” ? Nëse po, më dërgoni urgjentisht një ftesë për t’u bërë fan e saj.
 
Por çudia më e madhe ndodh me komentet që bëhen në fotot e anëtarëve:
- Oh, m’u morr fryma nga bukuria jote. - Ah, nuk gjej fjalë për të të përshkruar sa e bukur që je. – Eh, m’u prenë këmbët, rash përtokë, nuk mbaj më, ti qenke perëndi dhe jo grua, etj etj.
Duket se këta njerëz bëjnë shërbime fotografike ekstra, me qëllimin e vetëm për t’i vendosur në facebook. Për të mos përmendur këtu photoshop-in. Edhe pse ata duken të vetëdijshëm që në realitet nuk janë aq të hijshëm, saç i transformon photoshop-i, apo një shërbim i shtrenjtë fotografik, kjo nuk i pengon të ngazëllehen prej komenteve të komplimentuesve, të cilët, të shumtën e rasteve nuk i kanë takuar asnjëherë .Vetë-gënjeshtrim frytdhënës ? Ku i dihet, ndoshta dhe kjo gjë e ka një të mirë: Motivimin për të bërë foto edhe më të shtrenjta !
Për të mos folur pastaj për poetët. Uhhh… Një ditë më dërguan një ftesë për t’u bërë pjesë e një grupi me titull melodramatik:”Femra, romanca, letërsia”.  Më duket se themeluesja qe një vajzë, një tipe e cila ka vite të tëra që bën poezi në facebook e nëpër forume nën të njëjtën temë: “Unë të desha, ti më ike, unë qava, po nuk do qaj më, do dashuroj prapë dhe kësaj rradhe nuk do gaboj…” Nga kjo e ashtuquajtur autore mund të lexosh vëllime të tëra mbi këtë temë. Është si të shkosh deri në Kinë, të kthehesh sërish,  dhe atë, po duke qarë mbi urë do e gjesh. Por gjysma e së keqes do qe sikur të qe vetëm ajo. Facebooku gëlon nga poetët, ose më saktë, për të mos e fyer fjalën poet, dhe për të mos qenë diplomatike apo politikisht korrekte, siç unë adhuroj të jem, po i quaj me emrin e  tyre të vërtetë: po i quaj bejtexhinj.
Poezitë e pretenduara duket se nuk janë gjë tjetër veçse ca vargje ( edhe për këtë fjalë do rezervohesha) me rimë. AA. BB apo të alternuara AB. AB, asgjë më shumë se kaq. Të vjen të shkulësh flokët kur lexon komentet poshtë tyre.
- Ti qenke poet i vërtetë. - Ti ia kaloke edhe Majakovskit vetë. - Wow ne do bëjmë çmos të të sponsorizojmë që talenti yt të mos kalojë pa u vënë re.
Dhe bejtexhinjtë ngazëllehen e marrin hov për të bërë gjëra edhe më të hatashme. Thua se janë në një koopertivë bujqësore, thua se u është caktuar një normë për ta realizuar çdo ditë. Ata mbledhin forcat dhe e realizojnë atë 100 për qind,  me një fjalë nuk u ikën  asnjë ditë pa postuar, të paktën një bejte patetike në wall-in e tyre. E ndonjëherë edhe e tejkalojnë atë…
- Në facebook ti mund të bëhesh një  bujk i vërtetë; një bujk i lumtur në Farmville. Mund të kullotësh gjedhët, mund të punosh tokën, mund të prashisësh të mbjellat, mund të adoptosh dele të zeza e të vetmuara, mund të shkëmbesh punë vullnetare duke i kullotur gjedhët fqinjit etj etj. Vetem t’i shikoni fermat në Farmville; te gjitha të lulëzuara e me prodhimtari të mbarë, nga ato duhet të marrin shembull urgjentisht shqiptarët që kanë tokë dhe e lënë atë djerrë.
- Në facebook ti mund t’i demostrosh botës që ke njohje të rëndësishme e që nuk je njeri dosido. Përshembull: ti mund të bësh miq; aktorë, poltikanë, shkrimtarë, etj, etj.
Ja, këto ditë une kam ndër mend t’i dërgoj një kërkesë për friend Papës. Po, po ! Ne këtë mënyrë unë mund t’i krenohem njerëzisë që kam njohje me përfaqësues zyrtare të rrugëve qiellore, e pse jo, mbasi ta bëj friend, duke kqyrur mirë profilin e tij, ndoshta mund të gjej edhe Zotin ndër miqtë, kështu mund t’i dërgojë një kërkesë për ta bërë mik dhe atë. Uroj vetëm që atë ditë Zoti të mos jetë i zënë duke parë ndonjë ndeshje futbolli. Nëse po, uroj jo nga ato të kampionatit tonë, pasi ai di të jetë sarkastik ashtu siç vetëm ai.
 
E për ta mbyllur;
Këto ditë, një shkrimtar i shkëlqyer u nda nga jeta, një shkrimtar mit, i cili me një roman të vetëm u bë idhulli i adoleshentëve në të gjithë botën, një autori imi i preferuar: Jerom David Salinger. Ky njeri kishte vite i arratisur nga të gjithë; të njohurit, miqtë, të afërmit, e futur në një skutë larg të gjithëve. Ndoshta në atë skutë ku qe fshehur për t’u mbrojtur prej agresionit mediatik, të paskrupullt, të kohërave tona, moderne, i cili nuk merr parasysh asgjë kur vjen fjala per lajme që të dhunojnë e të shkelin pamëshirë privacy-në, ai nuk dëgjoi kurrë për këtë shpikje të re, të njerëzimit, facbookun, dukurinë-makth që i ka përpirë të gjithë.
Salinger vdiq i arratisur nga bota, i lënduar dhe i tradhëtuar nga të gjithë, po ndoshta vetminë e facebokut tonë jetësor, atij facebook-ut ku gjatë gjithë kohës je i rrethuar me njerëz që të flasin me zë të lartë, të qeshin gurgullueshëm përpara syve, qajnë  ose mundohen t’ia arrijnë… diçka e tillë, të rrahin shpatullat babaxhanërisht, e prapëseprapë, të bëjnë të ndihesh edhe më i vetmuar, thua të kishte vite që e kish kuptuar ?.
 
Arlinda G.
 
 
 

Natën që eca në ëndrën tënde…



images.jpg

 (Jo-poezi kriminalistike)
 
Natën që eca në ëndrën tënde,
më ndaluan për kundravajtje…
 
Tani,
s’jam veç një ëndërimtare e përgjegjshme…
shkël nëpër ëndra vetëm me 40 km në orë,
sytë asnjëherë nuk i mbyll plotësisht,
e eci gjithmonë brenda korsive…

Kur nuk ke punë, luan derën…

11.jpg


Requiem për një natë…

Botuar tek “Gazeta”, dt.23.12.09

Duhet të kenë qenë Krishtlindjet e shtatë viteve më parë.
Ato kohë ishte bërë e modës që nëpër gazeta e revista të flitej dendurazi për të dashurën e re të kryeministrit të athershëm. Gazetat shkruanin me një zell të ethshëm për hollësira nga më të habitshmet, ato përshkruanin me imtësi ngjyrën e flokëve, modelin e fustanit, madje edhe perimetrin e pulpës së saj.  
Ato kohë ishte bërë gjithashtu i modës, festimi i Krishtlindjeve “me aheng” prej disa të ashtuquajturave “elita” të kryeqytetit… ndonjë zhvillohej pikërisht me zërin e Altin Shirës në sfond, ky i fundit, në gjithë atë përndezje elektrizuese, dukej më politikisht korrekti me festën, pasi qe i vetmi që mbante në trup një veshje në ngjyrë të kuqe siç e kërkon tradita ( më saktë këmishë sintetike, të kuqe, së cilës i ishte nxjerrë jaka sipër xhaketës së zezë ).
 
Duhet të ketë qenë ora nëntë e mbrëmjes ose diçka më shumë se aq, e diku, në një ekran të madh qe duke u transmetuar live urimi i presidentit.
Ishte një natë e kthjellët me një të ftohtë therës nga ai që të shkon deri në kocka. Ishte dhe një hënë rrezëllitëse atje lart… që shndriste me një bukuri të çmendur, e që në netë të ftohta si ajo, nuk di pse e urrej e nuk dua ta sodis, pasi sa më e bukur bëhet, aq shumë ftohet ajri përreth teje….
Golfi im ishte ngjitur deri lart tek buzët, e mëngët ishin tërhequr mbi kurrizin e duarve të cilat ishin bërë akull të ftohta e gati-gati nuk i ndieja.
Neonët… dhe ata kontribonin në atë miksim perfekt elementësh dimërorë, ndriçimi snob i tyre, ajo drita e largët, fekëse, sikur më ngjante me nga ato ofertat e llojit: “merr tre e paguaj vetëm një”.
 
Teksa përshpejtoja hapat në trotuarin pranë ish-piramidës, këpuca ime u pengua diku. Ula sytë menjëherë dhe pash një karton të shtruar përtokë, mbi të clin qenë shtrirë dy fëmijë. I madhi kishte mbështjellë të voglin në një mënyrë të tillë sikur të donte ta ngrohte. Pa dyshim qenë vëllezër.
Flinin.
I vogli duhej të ishte jo më shumë se gjashtë vjeç, ndërsa i madhi aty tek tetë.
Nuk kishin hedhur asgjë përsipër, asnjë mbulesë, asgjë prej gjëje.
Flinin të përqafuar nën qiell.
Kishin në trup ca rroba të vjetra dhe këpucë të shtrembëruara.
 
Njerëzit kalonin me nxitim, ndonjë shpejtonte për të blerë dhuratat e fundit, ndonjë tjetër për të shkuar “në aheng”…
Askush nuk ua hidhte sytë…
 
Qëndrova disa çaste, pa lëvizur, në këmbë përpara tyre, sikur të kisha frikë mos i zgjoja, ndërsa një adoleshent me kufje në vesh që u shfaq befas përbri meje, e gjuajti me këpucë shtrojën e tyre prej kartoni…
Ata nuk u zgjuan. Vazhduan të flinin, ashtu; njëri-tjetrin, mbështjellë fort.
 
Qe një pamje që të shkulte kraharorin.
Por skena nuk mbaroi aty, diku më tej pash të ndalonte një makinë. Një grua e veshur bukur e qe e spërkati rrugën, të gjithën me parfum, zbriti vrulltaz prej andej dhe drejtoi hapat drejt hyrjes së televizionit Top Channel.
Ajo më kishte rënë në sy edhe më parë, nëpër emisione, ku tregonte me pathos rreth bamirësive që kryente fondacioni të cilin ajo drejtonte.
 
Edhe pse thonë se nuk është mirë t’i shohësh fëmijët kur flenë, i hodha edhe njëherë sytë mbi fytyrat e tyre. Ata vazhdonin të flinin… dhe qenë pranë…fare pranë rrugicës ku duhej të kalonte ajo; “zonja mediatike”, e cila u ecjak hijerendë me gjithë pellushin e saj, të ngrohtë e të shtrenjtë, pa e kthyer kokën nga fëmijët që flinin përtokë (një zot e di se si ata arrinin të flinin në atë të ftohtë …) dhe një derë që u hap e u mbyll menjëherë, e gëlltiti “zonjëzën”brenda.
 
Vazhdova të ecja… duke e përfytyruar ndërsa hiqte pellushin ( poshtë tij pa dyshim duhej të kishte veshur ndonjë fustan prerë te stilistja, enkas për atë ditë ) e duke folur me të njëjtin pathos përpara kamerave mbi aktet e bamirësisë…
 
Ca orë më vonë banorët, besimtarë të kryeqytetit do të mbushnin rrugët ,në mesnatë, në ritualin e tyre të shkuarjes në kishë…
Por unë nuk e mësova dot nëse ndonjë prej tyre i drejtoi sytë mbi  fëmijët fatkeqë, apo ndonjë tjetër i qëlloi me këpucë…
 
Nuk mësova dot më asgjë mbi fatin e tyre…
Di vetëm të them që atë natë sikur më rëndonte diçka në kraharor, ndoshta qe pengu që nuk munda të bëja asgjë…
Di të them gjithashtu që të nesërmen, e kapa veten duke lëvizur nëpër duar, me nervozizëm telekomandën, ndërsa dëgjoja ri-transmetimin e urimit të presidentit, e gishtat u drodhën të tronditur, kur folësja u ndal tek lajmet e kronikës së zezë…
 
Ca vjet kanë kaluar që atherë…
 
Çdo herë që afrohen Krishtlindjet, mua më del përpara syve përqafimi i atyre fëmijëve, si një logo sarkastike që të mbrrin befas prej nënvetëdijes për të tejçuar një kumt e për të të shqetësuar të përditshmen…
 
Le të shpresojmë që këtë fund-vit, të paktën për atë natë, të mos ketë fëmijë të braktisur që flenë trotuarëve…
Le të shpresojmë që këtë fund-vit, të paktën për atë natë, “zonjëzat mediatike” të mos kenë asnjë fustan për të reklamuar…
 
 Le të shpresojmë… të paktën…
 
Arlinda G.
  

Letër e mbyllur… (në lidhje me tre letra të hapura)

 Botuar tek “Gazeta”, dt. 09/12/09

E nderuar Lartmadhni,

Pikësëpari ju kërkoj falje të përunjura pse mora guximin e pacipë t’iu shkruaj këtë letër e t’iu prish rehatinë këto ditë të trazuara, kur të gjithë ne, besnikët Tuaj, të devotshëm, kemi drejtuar vëmendjen dhe përkushtimin e pakursyer drejt Jush.

Edhe një herë më ndjeni për guximin, por këto ditë e pash t’udhës t’iu shkoqisja ca informacion të hollësishëm rreth disa ngjarjeve, në dukje sporadike, që po i ndodhin padenjësisht e në mënyrë të njëpasnjëshme Mbretërisë sonë.

Siç dhe Ju e dini fort mirë, një ndër shkaqet e shumta të trazirave të vazhdueshme e pakënaqësive në popull, është edhe shkrimi  i disa letrave të hapura prej disa shkronjësish, kopukë e sharlatanë, të cilët kanë vënë në shënjestër, Lartmadhninë Tuaj.

Këto letra të hapura, botuar nëpër gazetat kryesore dhe ato lokale, të distrikteve të ndryshme të Mbretërisë sonë, kanë ndikuar jo pak, në psikologjinë e individëve të thjeshtë.

Ato po i shkaktojnë jo pak dëme Mbretërisë, ndaj për këtë arsye, unë, si besniku Juaj, i devotshëm, ( nëse do më kërkohej edhe jetën do e jepja ), zhvillova disa hetime paraprake, të pavarura, e diskrete, në disa zona të rëndësishme, të Mbretërisë, të cilat janë quajtur me të drejtë nga zbulimet sekrete si vatra të revoltave.

Doja t’iu informoja se udhëtimin e kreva të gjithin në sajë të shpenzimeve të mia. Kisha hequr mënjanë për këtë ditë, disa të holla, ndaj mos u shqetësoni të më shpërbleni për këtë. Jo ! Këtë as që desha ta përmendja, pasi unë për Lartmadhninë Tuaj jap më shumë se kaq. Fundja për një ditë të madhe i kisha ruajtur ato të holla, dhe kjo e sotmja është me të vërtetë një ditë e madhe për mua.

Por që të mos zgjatem e hallakatem më shumë nëpër hollësira të vogla e të parëndësishme, të cilat ka gjasa të më largojnë nga qëllimi i shkrimit të kësaj letre, menjëhere po filloj t’iu rrëfej si më poshtë;

I

Në lidhje me letrën e hapur, botuar në të përditshmen, për fat të keq, prestigjoze e të shumë-lexuar, me titull; “Gazeta e qebapëve”, shkruar me aq mllef në adresë të Mbretërisë, prej shtetases me inicialet; D.B., unë zbulova disa detaje tepër  interesante, siç do të vijojnë në mënyrë të përmbledhur më poshtë;

Në sajë të zbulimeve dhe rrëfimeve të bazuara në fakte, ( të vërtetuara nga vetë unë ) thuhet se shtetësja D.B., gjatë zhvillimit të veprimtarive për festën tonë kombëtare, u është shprehur disa miqve të saj se kishte ditë që mendonte “të qëndiste” ( pikërisht kështu është shprehur ajo, me një pezm mjaft të dukshëm ) një letër të hapur drejtuar Lartmadhnisë Suaj.

Dhe kur informatorët e mi, të paguar jo keq, ( nuk doja ta përmendja këtë fakt ) e kanë pyetur për qëllimin e shkrimit të kësaj letre “bombë” ( kështu e ka cilësuar shtetësja D.B., ndërsa ka përfytyruar skenën sy-mbylltaz ), ajo ka rrëfyer se kohët e fundit ka qepur një fustan në ngjyrë të kuqe, të fortë, dhe që i rri mjaft mirë në trup, por që nuk ka patur asnjëherë ndonjë ngjarje mondane për ta veshur e për t’ia treguar botës.

Dhe kur informatorët  e mi, të paguar jo keq, ( ah, përsëri e theksova këtë fakt ! ) kanë ngritur supet dhe e kanë pyetur se ç’lidhje ka kjo me Lartmadhninë Tuaj D.B., ka  nënqeshur lehtaz, ka kruar zërin dhe ka shpjeguar se me shkrimin e një letre të tillë, “bombë” ( siç vazhdoi ta quante ajo ) shpreson të tërheq vëmendjen e televizioneve më të rëndësishme, të Mbretërisë, duke u ftuar nëpër emisione të ndryshme e duke dhënë intervista.

E në të gjitha këto, ajo mendon të shfaqet e veshur me fustanin e saj, të ri, të porsa-qepur, në ngjyrë të kuqe, të fortë, të cilin më në fund do ketë rast t’ia tregojë botës dhe në veçanti, dy meso-grave, gojëmëdha, fqinjave të saj, të cilat nuk paskërkeshin lënë gjë pa thënë në adresë të saj.

Për hir të së vërtetës më duhet të theksoj këtu që ngjyra e fustanit të shkronjëses nuk ka lidhje aspak me bindjet e saj, politike, pasi në të vërtetë, shtetësja D.B., nuk ka fare bindje të tilla, kjo u vërtetua një mbrëmje të vonë, kur ajo është parë nga dritarja, duke ndenjur gjatë… shumë gjatë… përpara pasqyrës, pasi ka provuar disa herë fustanin e saj, të kuq, e duke i thirrur vetes me zë të lartë; - Unë eksiztooooj…

II

Në lidhje me letrën e dytë, të hapur, shkruar nga shtetasi S.L., informatorët e mi do rrëfenin siç do vijojë, përmbledhtaz, më poshtë;

Shtetasi S.L., i cili kohët e fundit ka shkruar një letër të hapur, në të përditshmen tjetër me titull; “U-Turr-ima“,  së cilës në fundjavë i shtohet dhe një suplement me titull; “U-Tur-akë, mësohet se nuk ka shumë kohë që është divorcuar nga e shoqja…

Ndarjen ky individ duket se e ka përjetuar keqaz, pasi për nje muaj të tërë është mbyllur brenda të katër mureve të shtëpisë së tij duke folur me vete.

Hmm… e turpshme vërtet Lartmadhni… një dobësi e tillë… vetëm për shkak të një femre… por vazhdojmë më tej…

Informatorët e mi kanë zbuluar se pas një muaji të tërë, mbyllur brenda të katër mureve, pikërisht atherë kur të gjithë fqinjët mendonin që shtetasi S.L., nuk do dilte kurrë prej andej, apo dhe në se po, do dilte i damllosur krejt, S.L. është shfaqur befas në derë si kokrra e mollës. Me të dalë prej andej, ai i është shprehur dikujt se ka vendosur t’i shkruaj një letër të hapur Lartmadhnisë Suaj. Dhe kur ky dikushi, ( i cili më pas do bëhej informatori im, i besuar ) e ka pyetur se ç’lidhje ka divorci i tij me Lartmadhninë Tuaj, ai i është përgjigjur me të njëjtën fjali me të cilën është përgjigjur pak më lart edhe shtetësja D.B., dmth., që me anë të kësj letre ai shpreson të tërheqë vëmendjen e televizioneve të ndryshme, ftesave nëpër emisone dhe që andej… kujdes Lartmadhni, se këtu rrëfimi i tij ndryshon kryekëput nga ai i shtetëses D.B., pra dhe që andej, ai ka vendosur që në fund të intervistës, papritur e pakujtuar, t’i bëj thirrje publike ish-gruas së tij për ri-kthim pranë vatrës familjare.

Sipas informatorëve të mi, të besuar, ai i ka parashikuar të dyja anët e medaljes, nësë ajo do refuzojë, ai po njëlloj do t’u drejtohet kamerave duke e sharë si; bukëshkalë e të përdalë ( ç’është e vërteta ai ka përgatitur për çdo rast, një listë të gjatë me sharje ose lavdërime përkatëse, të shkruara në një flete të verdhë e të zhubrosur, të cilën e fsheh herë pas here në mëngën e xhaketës ).

III

Në lidhje me letrën e tretë, të hapur, të shkruar nga shtetasi M.M., informatorët e mi, do të shpjegonin siç më poshtë;

 

Edhe shtetasi M.M.,  i cili gjithashtu ka botuar një letër të hapur, në gazetën e përjavshme me titull; “Qejfi dhe qefini”, ashtu siç dhe shtetasit e mësipërm, thellë-thellë nuk ka asnjë lloj pakënaqësie kundrejt Mbretërisë apo Lartmadhnisë Suaj.

Informatorët e mi të besuar tregojnë se këtij shtetasi i është vënë nofka; shkencëtari, pasi thuhet se për vite të tëra, ai po përpiqet të kryejë një shpikje të rëndësishme.

Për fat të keq informatorët e mi nuk arritën ta zbulonin për çfar bëhet fjalë edhe pse i vizituan dhe i panë me sytë e tyre, imtësisht, të gjitha veglat e tij, të punës Por gjithashtu thuhet që eksperimenti i tij nuk ka dalë ashtu siç ai e parashikonte dhe kjo e ka bërë shtetasin M.M., të bjerë në një depresion të thellë.

E meqë sipas informatorëve të mi, tani që me shkrimin e asaj letre të hapur ai është bërë edhe person publik, ka vendosur që pas një ftesë në emisonin argëtueso-edukativ të fundvitit me titull; “Blungjill” ( blu+ ungjill )i cili pritet të jepet këtë ditë, në fund të intervistës të vrasë veten, live duke u hedhur nga dritarja…

Këto E Nderuar Lartmadhni, janë informatat që unë mblodha me përkushtim të madh në të mirë të Mbretërisë dhe Figurës Suaj, Të Nderuar.

Ju kërkoj ndjesë përunjësisht që po marr guximin t’iu sugjeroj t’i merrni parasysh, por theksoj edhe një herë që këto informata kanë shumë rëndësi për të ardhmen e Mbretërisë.

Tani po e përfundoj këtë letër, Lartmadhni… e në dallim nga kopukët, sharlatanë, e shoh të nevojshme të përdor zarf…

Ja tani do lag ngjitësen tek kapaku, jo me pështymë Lartmadhni, por me esencë trëndafilash, ashtu siç Ju e meritoni,  E Nderuar… që marrshi nga pështymat tona…

Ai u zverdh në fytyrë kur lexoi ç’i shkroi dora…

Nuk desh të besojë që në të vërtetë kishte shkruar; “marrshi nga pështymat tona”, në vend të; “marshi nga jetët tona”.

Por e mblodhi veten shpejt, pasi hodhi edhe një herë sytë rreth e rrotull dhomës, si të sigurohej që fjalinë fatale nuk arriti ta lexonte njeri, ( gruaja e tij po pastronte bishtajat qetësisht ).

Menjëherë pasi u sigurua që gafën nuk e vuri re njeri, i hoqi fjalisë një vijë me stilograf dhe e ri-shkroi atë, bukur dhe në versionin e duhur.

E mbylli zarfin, pasi e ledhatoi mirë e mirë me gishta, e puliti sytë përgjysëm me një shprehje prej ëndërimtari në fytyrë, duke përfytyruar veten përpara kamerave, ndërsa jepte intervista të ndyshme e njerëzia s’pipëtinte, duke e dëgjuar plot vëmendje, teksa ai rrëfente, jo pa krenari, se si me anë të asaj letre të mbyllur, ai kishte arritur të shpëtonte një mbretëri të tërë.

 Arlinda G.


Sumbulla

 191c008f.jpg

Një ditë, ti do të duash të ikësh,
e unë do të kuptoj, sigurisht,
( ndonjëherë dhe unë dua t’ia mbath nga unë…)
 
pastaj do vijë një ditë e zakonshme,
e ftohtë, me shi, dhe pa poetikë,
si kjo e sotmja,
ku ti do më shpjegohesh
se vetëm sa të ra rruga këtej…
 
unë do t’ul sytë mbi pllakat e trotuarit,
e do gëlltitem lehtaz…
kur një currilëz e mekur,
do fillojë të pikojë prej një ulluku të ndryshkur,
mbi jakën e palltos tënde,
e që andej,
do përplas stërkala të sumbullta në qerpikët e mi,
(që do rraskapiten ankthshëm,
të friguara, se mos rrëzohen mbi mollëza…)
 
pastaj, të dy do gjejmë një strehë aty pranë,
ku ti do me pyesësh,
e pyesësh,
e pyesësh…
pa qenë i interesuar të dëgjosh përgjigjet e mia…
 
(dhe unë do të kuptoj, sigurisht,
ndonjëherë, as unë nuk dua t’i dëgjoj ato)
 
dhe do t’ikësh,
pa haruar të theksosh për të fundit herë,
ftohtësirën  vrastare që do mbjellësh në stomak;
“vetëm sa më ra rruga këtej”…
 
e unë do mbetem aty,
me sytë ngulur mbi pllakat e plasaritura, të trotuarit,
me shuallin e këpucës që do fillojë të fusë ujë,
e me sumbullat në sy…
 
ndërsa tej,
atje… në trotuarin tjetër,
një mace rrugësh, e bërë qull,
do jetë duke kërcitur dhëmbët nga të ftohtët…
 
Arlinda G.