Arkivi i kësaj kategorie
Më poshtë mund të lexoni postimet brenda kategorisë Poezite e mia.
Sumbulla
Një ditë, ti do të duash të ikësh,e unë do të kuptoj, sigurisht,
( ndonjëherë dhe unë dua t’ia mbath nga unë…) pastaj do vijë një ditë e zakonshme,
e ftohtë, me shi, dhe pa poetikë,
si kjo e sotmja,
ku ti do më shpjegohesh
se vetëm sa të ra rruga këtej… unë do t’ul sytë mbi pllakat e trotuarit,
e do gëlltitem lehtaz…
kur një currilëz e mekur,
do fillojë të pikojë prej një ulluku të ndryshkur,
mbi jakën e palltos tënde,
e që andej,
do përplas stërkala të sumbullta në qerpikët e mi,
(që do rraskapiten ankthshëm,
të friguara, se mos rrëzohen mbi mollëza…) pastaj, të dy do gjejmë një strehë aty pranë,
ku ti do me pyesësh,
e pyesësh,
e pyesësh…
pa qenë i interesuar të dëgjosh përgjigjet e mia… (dhe unë do të kuptoj, sigurisht,
ndonjëherë, as unë nuk dua t’i dëgjoj ato) dhe do t’ikësh,
pa haruar të theksosh për të fundit herë,
ftohtësirën vrastare që do mbjellësh në stomak;
“vetëm sa më ra rruga këtej”… e unë do mbetem aty,
me sytë ngulur mbi pllakat e plasaritura, të trotuarit,
me shuallin e këpucës që do fillojë të fusë ujë,
e me sumbullat në sy… ndërsa tej,
atje… në trotuarin tjetër,
një mace rrugësh, e bërë qull,
do jetë duke kërcitur dhëmbët nga të ftohtët…
Pakt
Ne flasim për motin,
ekspresin e mëngjesit…
shtojmë pak politikë,
sa për të trembur metaforat dhe retiçencat,
që flatrojnë turbulltaz nëpër fjalë…
pastaj heshtim…
unë gjithmonë shtirem se nuk i dëgjoj,
ato goditje të mbytura,
që të shurdhohen brenda kraharorit…
e ti, asnjëherë nuk më thua,
që aty,
brenda një poezie,
je duke më mbytur, e dashur, njëherazi…
kuptohemi kaq mirë, në heshtje ne të dy,
ndërsa vrasim ditët nga pak,
nën këte pakt të pashkruar…
…
Ne flasim… për motin,
trenat e humbur,
gështenjat e pjekura…
shtojme pak politikë,
sa per të zh’bërë ngrohtësinë e pasofistikuar të frymëve,
që veshin suprinën e akullt, të xhamit…
Pastaj heshtim…
e ashtu heshturazi,
une kam kaq frikë të të mbështes kokën në krahor,
e të mësoj ç’shkruan për mua atje brenda…
© Arlinda G.
Kohë për të vrarë
Po bëhet vonë, më duhet të të vras tani, qyteti meit, përgjon pas dritareve, fjalët e fundit… ka kohë që projektoj vdekjen tënde, shënoj me mend një nyjë në tëmthin tënd, të djathtë, atj ku duhet të mbështes armën, që të të vras… e pastaj të iki… se nuk kam kohë të të mbyll sytë, se nuk kam kohë as të të qaj… e ti, ti nuk ke si ta dish ç’përtyp në mendje, unë, xhelati yt ,
ti vetëm ngre supet pafajësisht, e po aq pafajësisht, më sy-qesh… po unë kështu nuk të vras dot… i haroj në çast planet e ekzekutimit, dhe shprish me buzë nyjëzën mbi tëmth, gjaku çlirohet nga ngërçi, e ç’mpiket prej ngrohtësisë… …
e megjithatë, sonte më duhet të të vras, patjetër… ç’pres akoma ? katedralet e kumbuan gongun final, erdh’ koha ta shkrep këmbëzën, ndaj, të ndaloj të më qeshësh…
erdh’ koha të të vras, pa zhurmë… pa bujë… me slienciator të harresës…
© Arlinda G.
Nënës…
Ti…
përditë rreshton kukullat e mia,
mbi komonë e vjetër,
pranë shtratit bosh…
Unë…
përnatë rreshtoj humbjet e mia,
nëpër rrudhat e portretit tënd,
varur në muret e dhimbjes…
© Arlinda G.
American Democracy
Delja, rënkoi bark-gërryer, grahmat e fundit… shuhtaz… Buzë – dridhur, bariu i vogël, i mbylli sytë, e kokën, mënjanë e ktheu, shpirtlëshuar, kur ajo, për të fundit herë, përpëliti këmbët… peng-mbetur… që shkoi pa u bërë nënë… Qengjin, një predhë, ia shqeu prej plaçentës, pa mëshirë… Një predhë……e ardhur… prej andej, nga ku, dikur… vinin dallëndyshet… një predhë… sipër së cilës shkruhej me bojëra optimiste; American Democracy…©Arlinda G.
Krater
Qielli u plak, zogjtë ikën pa përshëndetur… pemët çelën sythe të ligur, ngjyrë tymi… e kollitën në ajër, aromë baruti… shkrumbi iu mpik brenda palcës, si reumatizëm e vjetër, në kockat e pleqve… Qielli u thinj, u lodh, u mpak, …u bënë kohë që njerëzit nuk ia drejtojnë vështrimin…©Arlinda G.
Një ngaster me diell…
Nëna ime, ka një recetë për lumturinë… më flet për të, me duart e zbardhura, zhytur, në brumin që mbrujt në tepsi… Ajo shton kursyeshëm; pak ujë… pak miell… …çdo gjë me masë… E shtriq brumin kujdesshëm në tepsi, pastaj e ndan në ngastra… një copë… për ëndrat… një… për fitoret… një tjetër…. për humbjet… nëna vizaton me pirun, nga një diell të vogël, për çdo ngastër… e fut tepsinë në furrë, pastaj kthehet rrëmbimthi nga unë, …më urdhëron, prerë; të ndjek recetën e saj me çdo kusht… recetën… që ka shpikur për lumturinë time… Nëna ime, sot e ka mbrujtur atë… … në ngastra të vogla… me nga një diell përsipër…
Kapësa rrobash
Gruaja ka çikur lehtaz në bel një kanistër rrobash … Fillon t’i nderë kujdesshëm, në telat që shtriqen nën aromëza lenor-i… mbi çarçafët rozë… mbërthen kapësa të rozta… mbi peshqirët e bardhë… mbërthen kapësa të bardha… … Pastaj ngre kanistrën nga përtoka, dhe tërheq pas vetes derën e ballkonit… Sot… dhe ajo… ka luftuar për të ndryshuar boten… e ka aromëzuar e mbështjellë… me zbutës rrobash…
Triko e vjetër
Triko e vjetërth… e ç’ngjyrosur… e ngrënë mbi brryl, dremit në sirtar, shtriqur nën sythet e shqepur… Dikur, ime më ulur pranë sobës, e thurri për mua, me një nur të paqtë, rënë ndër faqet e përskuqura… ndërsa atje pranë, një tenxhere e vogël, turfullonte zhurmëmadhe, e shpërndante gjithandej, aromë të ngrohtë, shtëpie… Mbi shtizat e florinjta, ajo kapërtheu thilèzat e ngjeshura, si themele të forta… të sigurta, mbi të cilat, do ngrinte muret e ëndrave, “për vogëlushen me bukle të diellta, mbi ballë”, duke mërmëritur ndër buzë, si lutje të vagullt, të njëjtën melodi të panjohur, që unë, asnjëherë nuk e mësova ku e kishte dëgjuar… Sepse nënat, endin ndër buzë, të njëjtën melodi, kur thurrin me shtiza… sythet e ëndrave për bijtë… hartëzën e fatit, të pëllëmbëve të njoma, skicuar mbi akrelik, me dy gërshetëza nazike, harkuar kujdesshëm, që luajnë lozonjare, e ndërpriten gëzueshëm, të bukura, të hareshme, si të gjitha fëmijëritë… … Oh… sa i ftohtë… kërcëllitës… e armiqësor, muzgu modern, i këtëj qyteti, sonte… nën vezullime të metalta, dritash, e pulitje te akullta, qerpikësh, njerëzish-robotë… ku unë vazhdoj të jem; “vogëlushja e saj, me vështrim të pambrojtur”, që sonte kam nevojë, kaq dëshpërimisht, të mbulohem me jakën e saj, të pasofistikuar, “punim orizi”… ©Arlinda G.
Veshur me diell …
Ajo pret… e kurmtë, pas qelqit të dritares… pret… të vishet me diell të bardhë… Perdet transparente, nën valsin nazik, të puhizës mendjelehtë, i lëmojnë butësisht, shpinën e zbuluar… ndërsa qelqi i veshur i dritares, kriset nga padurimi i përqafimit… e ëndrat e qumështa, ngërthyer pas ujvarës së heshtur, të flokëve, i rrëshkasin, të rruazta, nëpër lëkurë… Ajo pret… e bulztë, njeriun, të cilit i konturoi buzët, i hijëzoi mollëzat, e i ndërtoi buzëqeshjen… njeriun, të cilit i stiloi modelin e flokëve, e ngjyrën, ia kombinoi me xhaketën e vjeshtës… Ajo pret… nuk lodhet së prituri, njeriun që nuk di, se në cilën nga jetët e saj, ekziston… Por pret… vetëm pret… e kurmtë, e bulztë, e frymtë, pas qelqit të krisur, të dritares, mbështjellë në çarçafin e ëndrave… …pret… të vishet me diell të bardhë…@Arlinda.G

