Nën shi…
Po ç’të të them tjetër, mikja ime ?…
ti vazhdimisht kërkon lajme nga unë,
si të duash të mbushësh me to,
humbëtirat tona, siamese…
E unë s’di ç’të them më…
përveç faktit që sot,
pemëve tek Rruga e Liceut,
rrebeshi ua shqeu krahët…
( nesër punëtorët e bashkisë do t’i fashojne, e hedhin në allçi
ndërsa ato do klithin heshturazi prej dhimbjes… )
…piktori i portreteve “me çmim të arsyeshëm”,
kish braktisur ca telajo, rrëzuar sëmbueshëm mbi trotuar;
( një sy të mjegulluar gruaje që pikonte bojë,
dy buzë fëmije,
e një kurriz plaku… që tretej e tretej… nën shi… )
Ah… po… për pak harrova…
sot, një i panjohur,
më ndihmoi të kapërceja rrëketë e frikshme mbi asfalt,
pasi unë kisha pritur gjatë… shumë gjatë… para tyre,
duke matur e stër-matur me sy, vendin ku duhej të shkelja,
oh… ti e di… që unë nuk shkel kund pa llogaritur më parë…
Ç’të them tjetër ?…
Në mbrëmje,
fletët e votimit, si pëlhura Penelope,
do vazhdojnë të numërohen, përtueshëm…
ndërsa une do vë kokën në jastëk,
pasi të kem dëgjuar edhe lajmet e fundit,
duke psherëtirë për të fundit herë,
për sandalet e mia, të këputura, ngjyrë rozë…
pastaj do mbyll sytë,
pa ëndra…
si një ekran bosh që nuk merr asnje stacion,
…ëndrat… u shitën të gjitha… te shumica…
© Arlinda G