Flokenaja



Poezi nga Ndoc Gjetja

1.Pesë mijë palë këpucë

 

(Në kampin e shfarosjes Aushvic)

 

Shoh pesë mijë palë këpucë të vjetra

me lidhësa, pa lidhësa, të gjitha pa lustër

të vogla, të mëdha për meshkuj për femra

që dergjen këtu të hedhura grumbull

 

Dhe mua më duket ky pirg këpucësh

njerëzish të djegur në një natë krimesh

më i lartë se maja e Xhomolungës

më i shenjtë se  mali Sinai i Biblës

 

Përpara pirgut qëndroj i heshtur

me zemrën rënduar nga fate planeti

dhe veten pyes -  Mos qenkam në ëndërr ?

Se njëra kepucë lëviz nga vendi.

 

… Një tjetër më tutje e drodhi lëkurën,

pastaj e dyta, e treta, e katërta

të gjitha me rradhë e flakën përgjumjen

pesë mijë palë këpucë u bënë të gjalla.

 

… Tjetra ka lënë fëmijën në gjumë,

tjetra ka lënë kafen ekspres,

tjetra ka lënë qilimin pa shkundë

tjetra ka lënë një puthje në mes.

 

Tjetra ka lënë gjithë lulet pa ujë,

tjetra ka lënë ilaçet pa pirë,

tjetra ka lënë krevatin rrëmujë,

tjetra përgjysëm një fjalë të mirë.

 

Dhe vihen në rresht… Kërkojnë të ecin

me këmbët përkatëse përkrah të gjallëve

se njëra ka lënë përgjysëm të qeshurën,

se tjetra ka lënë përgjysëm një valle.

 

Dhe befas hapet një pamje makabër;

pesëmijë palë këpucë pa këmbë

tërhiqen zvarrë në barin e lagur,

në fushën e gjerë të larë me hënë.

 

Dhe ecin,

                dhe ecin,

                               dhe ecin,

                                             dhe ecin

si në tragjeditë e Shekspirit

Pesë mijë palë këpucë përshkojnë planetin

që t’i kujtojnë njeriut Aushvicin.

 

2.Pemë dekorative

 

Këto pemë dekorative përpara dikasterit të shtetit

burokracia do t’i ketë mbjellë me dorën e saj patjetër,

i ka vënë të gjitha në një kolonë të drejtë për një,

të barazarguara me një saktësi të tmerrshme.

 

Dhe kurorat e gjelbërta ua kanë qethur me gërshërë

(si kokat e ushtarëve në ditën e rekrutimit)

që të mos harlisen degët kur të vijë pranvera

e t’u parandalohet prirja për të çelur gjethe.

 

Të gjorat peme ! Të qethura ! Pa zogj. Të ngrira.

drithërohen nga malli për krehërin e erës.

Sot shkova dhe pash asfaltin e zi poshtë tyre,

kish filluar të cahej nga protesta e rrënjëve.

 

3.Një heshtje e bukur

 

Ka heshtje që na thonë gjëra të bukura,

si për shembull fytyra e gruas

në orët e vona të natës

kur e pagjumë numëron me vete

ditët e fundit të barrës.

 

Ec e thuaj po munde këtë heshtje

ti, muzikant, me nota

ti, piktor, me ngjyra

ti poet me vjersha

dhe ti, aktore e famshme

me gjeste dhe fjalë !

 

Për ta thënë duhet të jesh

nje grua shtatzënë

domethënë

dyfish e gjallë.


Trackbacks & Pingbacks

  1. POEZI-FABULA trackbacked më 2 Qershor 2009, 8:34 am

Komente

  1. 1 xhenius says:

    che meraviglia! un abbraccio Flok!

    Dërguar më: 30 Maj 2009, 10:06 am
  2. 2 flokenaja says:

    perqafime edhe nag une xhenius

    Dërguar më: 30 Maj 2009, 11:40 am
  3. 3 sirena e shpirtrave says:

    pershendetje e dashur.Te uroj per postimet …jane vertet te vecanta dhe rrembyese… Per kete une jam nje nga nje “hajdute e rregullt” e tyre…

    Heshtja e bukur, eshte vertet e bukur…komplimente

    Dërguar më: 23 Korrik 2009, 3:50 pm
  4. 4 flokenaja says:

    Pershendetje sirena… por poezite jane te Ndocit jo e miat :)
    shyqyr qe e ke vendosur ne thonjeza ate fjalen hajdute, se c’nuk shohim e degjojme keto kohera :)

    flo

    Dërguar më: 24 Korrik 2009, 5:14 am

Shkruaj një koment



(e nevojshme)

(e nevojshme)



Stilimi i komentit tuaj
Kthehu Sipër | Kutia e shkrimit Më e madhe | Më e vogël