Veshur me diell …
Ajo pret… e kurmtë, pas qelqit të dritares… pret… të vishet me diell të bardhë… Perdet transparente, nën valsin nazik, të puhizës mendjelehtë, i lëmojnë butësisht, shpinën e zbuluar… ndërsa qelqi i veshur i dritares, kriset nga padurimi i përqafimit… e ëndrat e qumështa, ngërthyer pas ujvarës së heshtur, të flokëve, i rrëshkasin, të rruazta, nëpër lëkurë… Ajo pret… e bulztë, njeriun, të cilit i konturoi buzët, i hijëzoi mollëzat, e i ndërtoi buzëqeshjen… njeriun, të cilit i stiloi modelin e flokëve, e ngjyrën, ia kombinoi me xhaketën e vjeshtës… Ajo pret… nuk lodhet së prituri, njeriun që nuk di, se në cilën nga jetët e saj, ekziston… Por pret… vetëm pret… e kurmtë, e bulztë, e frymtë, pas qelqit të krisur, të dritares, mbështjellë në çarçafin e ëndrave… …pret… të vishet me diell të bardhë…@Arlinda.G
Fjala e lirë
Perënditë më dëbuan nga parajsa, madje ato, s’munguan të më përplasin në fytyrë, edhe portën e rëndë, të ferrit… kurse në purgator, rezervimet “me pamje nga deti”, ishin mbyllur qyshkur… Por u treguan të gatshme… perënditë e mia, ehh, sa të gatshme, të më tërheqin zvarrë… ( me një zell të ethshëm ), e të më lëshonin, dihatur, në skenën e një amfiteatri të madh, perëndish, i cili, më shumë se me një amfiteatër, më ngjau me një arenë gladiatorësh, në shekuj konfuzë, kapërthyer, count – down, pas njëri- tjetrit… U tërhoqën në shkallë, si spektatore të zakonshme, pasi më parë, më lidhën; këmbë e duar… sy e gojë… E ndërsa u rehatuan, duke përtypur qetë-qetë, pop-corn-ët, më bënë shenjë të filloja… …të thosha fjalën time, të lirë…
Si fluturat e natës…
Si shpirt endacak, do përvidhem rrugëve të mugëta, të qytetit tënd… Do t’i përplasem drites së neonëve, e verbët, si fluturat e natës… pastaj, si në një pikturë abstrakte, krahët do më thërmohen në njëmijë nyjëza, e kombinacione, mbi asfaltin ku ke shkelur ti… Do mbështetem bordurave të brymëzuara, ku kane çikur pëllëmbët e ngrohta, të duarve të tua… e do dihas, e avullt, në ajrin tënd, duke fërgëlluar, drojtur, mbi tavolinën e barit të preferuar… atje ku, ti, do jesh duke u kotur, e stërbetuar vetes që më ke harruar, mbi nje gotëz whiskey… Do mblidhem kruspull, e mardhur, ulur në pragun e shtëpisë tënde, kur ti, një çast, do ndalosh këmbët, të kërkosh çelësat në xhepat e ngrohtë, e do hedhësh mëdyshas, një vështrim të fikur, në eter, njëlloj si të kesh parë një hije… Pastaj do tundësh kokën, i dorëzuar, do futesh brenda duke u lëkundur, e do mbyllësh portën… ngadalë… E unë, e verbët, si fluturat e natës, dënesur, do t’i mbështillem hënës… @Arlinda G.
Muratori
Me sa mundim e kishte gjetur atë punë.
Në takimin e parë, sipërmarrësit të punimeve i kishin ngelur sytë mëdyshas te duart e tij. Dukej qartë që nuk ia kishin mbushur syrin gishtat e hollë si prej pianisti. I ishte dukur pakëz si tepër sqimëtar për të bërë muratorin.
E me gjithë dyshimet, më në fund sipërmarrësi e kishte marrë në punë, por nuk haronte ta survejonte kujdesshëm, përgjatë gjithë orarit të punës.
Ai vuri një cigare në rrëzën e veshit dhe pa fytyrën e tij të pasqyruar në xhamin e errët të një makine luksoze që i kaloi afër.
Mjekra i ishte rritur dukshëm, gjithashtu edhe flokët i kishin mbrritur rrrëzë qafës.
Kishte kohë që e kishte lënë pas dore estetikën.
Iu duk e largët ajo kohë ( në të vërtetë kishte qenë vetëm disa muaj më parë ), kur çdo mëngjes përpara se të nisej për në punë, ai zgjidhte me merak nuancën e kollares që do vinte me kostumin e ditës.
Tashmë edhe duart e tij e kishin humbur lëmimin e butë; dy kallo të vegjël kishin zënë vend në rrëzë të pëllëmbës së dorës së tij… edhe thonjtë i ishin ngrënë, e nxirë nga brenda.Rrobat e kishin humbur shkëlqimin edhe pse ai, nuk haronte t’i hekuroste me kujdes.
- Tani më dukesh një murator i vërtetë - i tha, pa dhimbje, fytyrës së tij të hequr, e cila e shihte menduar që nga xhami cilësor i makines që shndriste prej pastërtisë. Shpirti tashmë i ishte zhveshur ndaj çdo lloj emocioni.
Shpirti i tij, tashmë ishte pagëzuar me emërtimin aq domethënës ; ekstrakomunitar.
Shpirtit të ekstrakomunitarit nuk i lejohej sqima. Këtë e kërkonin dukshëm prej tij eprorët.
Ata seç kishin një ndjenjë bezdie nëse ai në orën e pushimit, niste t’u tregonte rreth profesionit për të cilin ishte diplomuar.Ndëronin menjëherë argument ose i jepnin ndonjë punë ekstra.
Këtë gjë e bënin edhe kur qëllonin në praninë ndonjë femre të hijshme. Në prezencë të saj dhe njëkohesisht të ekstrakomunitarit, bëheshin menjëherë grindavecë e cinikë, sidomos kur nuhasnin interesimin e saj për të (ndonjëherë ishte edhe habi e tipit’ ; « e pabesueshme… si është e mundur që jeni ekstrakomunitar ? ).
Natyrisht cinizmi i tyre ishte i paketuar me një mbështjellëse kortezie përsipër.
- Duhet të mësohesh me të gjitha – i thoshte shpesh vetes ai, - tek e fundit, nuk je asgjë tjetër, veçse një ekstrakomunitar i paligjshëm.
Projektuesi i ndërtesës po tregonte me gisht, i dëshpëruar, njërin cep të saj, ndërsa i bërtiste me zë të lartë sipërmarrësit. Ky i fundit rrinte si pulë e lagur.
Cepi i ndërteses kishte diçka që nuk shkonte, sepse projektuesi nuk kishte lënë gje pa i thënë sipërmarrësit.
Në të vërtetë, ekstrakomunitari e kishte konstatuar me kohë këtë gjë, madje ne pushimin e drekës, ai druajtur kishte nisur t’i shpjegonte sipërmarrësit se çfarë nuk shkonte në projektin e ndërtesës, por kishte marrë një përgjigje të vrazhdë nga sipërmarrësi, përgjigje e llojit ; ” eh bela… po na japin mend dhe ekstrakomunitarët tani…”
Për një çast të vetëm ai kishte haruar se, njëlloj si kallot në pëllembën e dorës… edhe mendtë e tij ishin ekstrakomunitarë…
Ai uli kokën.
Gjithë puna e tij, ishte ndërtimi një muri, të ulët, modest, përreth ndërtesës.
Ndërtimi i një muri të tillë nuk kërkonte ndonjë mjeshtëri të madhe, kushdo mund ta ndërtonte.
- Metamorfozë interesante – mërmëriti me vete, tek hiqte nga veshi cigaren.
E ndezi dhe e thithi me të gjithë mushkeritë.
Në Shqipëri, kishte punuar arkitekt për pesëmbëdhjetë vjet.
©Arlinda G.


