KRUSPULL
Sikur ëndrat të mund të nisnin prej fundit… përgjatë numërimit të shkurtër të count down-it, unë lehtësisht do të mundja t’ua ndryshoja fillimin.
Brenda ëndrës, më ndodh të jem e vetëdijshme për konvecionet ëndra-shpjeguese. Kështu, kur shoh ujë të turbulluar, gjarprinj, flokë të prerë, apo ndonjë gjë tjetër si këto, menjëherë lëviz muskujt, përpelis qepallat dhe përpiqem të dal jashtë saj. Në këtë mënyrë, arrij t’i ndryshoj asaj, rrjedhën e papëlqyer.
Të gjitha këto janë “ligësht” - mërmërin e ulur në sofa, me një pale shtiza në duar… gjyshja ime. Nuk di përse qëndron e ulur atje… ajo ka vdekur përpara shumë vitesh. Nuk ka rrudha në fytyrë. Duket e qetë. Sytë i mban ulur mbi sythet e një trikoje, të cilën është duke e punuar me merak të madh. Nuk i ngre asnjëhere të më shikojë.
Por nuk shqetësohem dhe aq për « ligështinë »…apo shfaqjen papritur të gjyshes, pasi jam e sigurt që edhe ky është një konvencion. Në të vërtetë është diçka tjetër që më sfilit. Pa dyshim që është një ëndër… për të jam duke folur sot.
Ja ku jam, e mbledhur kruspull, e ulur ne verandën e shtëpizës sime, të vjeter…jam duke qarë… ky është edhe fundi i ëndrës sime… prej këtij fundi, do të nis të rrëfej fillimin e makthit tim të përnatshëm…
Jam në klasë të gjashtë.
Po kthehem nga shkolla e kënaqur. Jam duke mërmëritur nëpër buzë një këngë të cilën e kam mësuar në orën e muzikës. Jam e kënaqur se këngën e kam kënduar bukur. Kam marrë notën dhjetë. Jam e paduruar t’ua tregoj këtë prindërve të mi, jam e sigurt se im atë, me këtë rast, do të nxjerrë nga xhepi i brendshëm, i xhaketës së tij, të errët, ndonjë dhuratë të vogël për mua. Kështu bën gjithmonë kur unë i them se kam marrë dhjetë. Por mua më duket se ai mezi pret t’a bëj këtë gjë edhe kur unë nuk marr ndonjë notë. Unë jam vajza e tij, e adhuruar. Ai është krenar për mua, po aq sa unë jam krenare që kam një baba kaq perfekt.
Është maj.
Gjithçka shkon mirë përreth meje. Jam e lumtur për këtë. Me mesimet jam mirë. Çdo mëngjes, shokët dhe shoqet e mia, të klasës, mblidhen të gjithë te banka ime. Qeshim… luajmë… grindemi. Ndonjerit apo ndonjërës i vizatoj një portret. Mua më pëlqen të vizatoj për ta. Jam gjithmonë në qendër të vëmendjes së tyre, kjo gjë përgjithsisht më pëlqen, por së fundmi, më tepër ka nisur të më bezdisë.
Kam dy prindër që më adhurojnë, kam gjithashtu edhe një motër. Ajo është e martuar. Gjithçka shkon mirë edhe përreth motrës sime. Ajo ndihet e realizuar… jo vetëm kaq… ajo është e bukur, i ngjan nënës sime, edhe nena ime është e bukur, edhe ajo duket se ndihet e realizuar…
Për t’i rënë shkurt, duket se jemi një familje e bukur…
Ja ku kam hyrë në derë. Kam zbathur sandalet e mia, ngjyrë qumështi, kam mbathur një pale shapka çfarëdo (më rrinë pak të mëdha) dhe jam futur në kuzhinë. Aty nuk ka njeri, por nga kthina e aneksit, e cila të udhëheq për në ballkon, dëgjohen disa zëra.
Unë hyj fytyrëqeshur atje, nuk më durohet t’u tregoj të gjithëve për dhjetën, (edhe pse një dhjetë në muzikë, prindërve të mi u duket më pak e rëndësishme se një dhjetë në matematikë).
Fjala më mbetet në buzë kur shoh motrën time duke qarë me kokën të mbështetur në prehërin e sime meje. Motres i jane skuqur sytë nga të qarët Supet i fërgëllojnë. Është hera e parë qe e shoh në atë gjëndje time motër.
Aty pranë qëndron edhe tezja ime. Ato ende nuk më kanë vënë re… është duke folur vetëm nëna ime. Ajo i përkëdhel flokët motrës dhe i pëshpërit shpirt-lëshuar : - … por ndoshta… ashtu të duket moj bijë… ndoshta nuk është e vërtetë…
- Çfar mund të ketë ndodhur…? - pyes veten unë në heshtje - vetëm vdekje të mos jetë…
- Është e vërtete… - e siguron nënën time, ime moter duke u ngashëryer - është një femër tjetër në mes, të gjithë e dinin… vetëm unë jo…! Ajo hesht pak. - Do t’i kërkoj divorcin… - thotë më pas. Nuk më duket e kthjellët. Hmmm… tani nuk jam më as unë…
Kam mbetur në këmbë në derë të aneksit, me frymën që më merret Askush nuk më shikon. Askush nuk merret me mua. Për to jam bërë e padukshme. Përpiqem të nxjerr ndonjë tingull, por zëri më ka braktisur.
- Çudi si përsëritet historia – shpërthen pas pak tezja ime, - e mjera ti - i drejtohet ajo sime mëje, - e mjera ti, dhe kjo bashkë me ty, ç’hoqe ti, duket se do të heqë edhe kjo…
Sytë më janë zmadhuar, ende nuk nxjer dot tinguj. Jam e pafuqishme. Gjunjët dhe trupi fillojnë të më dridhen. Përpiqem të lëviz duart, t’i ngre lart e të zë veshët me duar, por ato vazhdojnë të më dridhen. Bëj edhe një përpjekje tjetër, kësaj here ia arrij. Marr frymë thellë. Sa mirë që tani nuk dëgjoj më.
Ato ndjejnë lëvizjen e duarve të mia. Kthejnë kokën të treja nga unë. Nga shprehja që duhet të kem marrë në fytyrë, ato kuptojnë se i kam dëgjuar të gjitha çfar kanë qenë duke thënë.
Nëna ime më merr për dore dhe më nxjerr në ballkon. Më lë atje dhe futet përseri në aneks. E shtyn tezen për nga dera duke e qortuar nëpër dhëmbë, në të njëjtën kohë, duke u kujdesur që unë të mos i dëgjoj qortimet e saj.Tezja proteston, nuk ka dëshirë të dalë, këmbëngul se mund t’i jetë e vlefshme sime motre me disa keshilla në lidhje me meshkujt.Nëna ime e shtyn përsëri. Më pas kthehet tek unë dhe me pyet me një qetësi të nderë në fytyrë, si dola në shkollë.
- Mirë.. - përpiqem t’i them unë, por zë nuk kam ende. Ajo eshte kaq e përhumbur. Ende nuk e ka kuptuar që mua më ka ikur zëri. Një çast më rrëmben ndër krahë dhe nis të qajë me ngashërim. Më pas përmendet, fshin lotët, përpiqet të nderë përsëri atë shprehjen e qetë në fytyrë. Madje, madje guxon të më buzëqeshë…
Unë ende nuk kam zë.
- Ti mos beso asgjë nga ato që dëgjove sot… mire shpirt i nënës ?
Unë e shoh ankueshëm. Ajo nuk i perballon dot më sytë e mi dhe me rrëmben sërish kokën mes kraharorit.
Qan përsëri.
Ndërkohe dëgjohet zëri i tezes sime që nga kuzhina, duket se ka hyrë sërish, stoike se keshillat e saj në lidhje me meshkujt, do t’i jenë të vlefshme sime motre. Diçka flet me time motër, më pas hyn në ballkon ku jemi unë dhe nëna. Nëna ime kafshon buzën sërish dhe i bën me shenjë të heshte. Por ajo nuk dëgjon. Nis të rrëfeje me zell diçka nga e kaluara e prindërve të mi. Nuk më nevojitet rrëfimi i saj, për te kuptuar që dikur, im atë e ka tradhëtuar nënën time.
Tezja nuk pushon së treguari. Ajo është shumë më e vjetër në moshë se nëna ime.
Më këputen këmbët, jam gjithnjë e më shumë pafuqishme ndaj rrëfimit të saj.
I mbledh edhe një herë forcat dhe vendos duart në vesh. E kotë, rrëfimi i saj arrin të hyje brenda veshëve të mi. Bëj edhe një përpjekje tjetër.
- Mjaft… – klith unë me zërin tim të humbur. Ajo nuk më dëgjon, ajo vazhdon të flasë.
- Mjaft… - më në fund ngrihem nga kolltuku ku jam ulur, derdhem drejt saj dhe i zë gojën me duar. Duart e mia janë tepër të vogla për të mbuluar gojën e saj të madhe.
Rrëzohem në krahët e sime mëje.
Nuk mbaj mend ç’ka ndodhur më vonë.
Kanë kaluar disa orë. Është errur. Une jam ende në ballkon… e mbledhur kruspull në kolltukun e vjetër, me një batanije të hedhur nga këmbët.
Motra është larguar, ka ardhur dhe e ka marrë i shoqi. Duket se janë pajtuar. Duket se nuk ka patur asnjë femër tjetër në mes tyre.
Im atë është kthyer nga puna. Që nga ballkoni ku jam ulur, dëgjohet dobët zëri i tij, ndërsa është duke biseduar diçka me nënën time.
Të dy flasin me zë të ulet.
Edhe tezja duket se është larguar.
Nuk kam dëshirë ta shoh tim atë, nuk kam dëshirë të flas me të, nuk kam dëshirë t’i tregoj që sot kam marr dhjete. Përse ma bëri këtë ?Sot më shkatëroi tablonë më të bukur… tablonë e familjes sime perfekte. Kisha kohë që mendohesha ta pikturoja. Ku të gjej një familje perfekte tani ? Më nevojitet kaq shumë…
Ja ku jam… përsëri në ëndër…
Shoqja ime e ngushtë, ka ardhur të flejë në shtëpine time. Jemi strukur të dyja në krevatin tim dhe shfletojmë albumin e fotografive. Qeshim të dyja, kur na del para syve, një foto e imja, kur kam qenë një vjeç, më pas, vjen një foto e prindërve të mi, kur kanë qenë të sapofejuar.
- Uou… sa të bukur prinderit e tu… - thotë shoqja ime me admirim, - ngjajnë si aktorë filmash…
- Hmmm… po… ke te drejtë, janë të bukur… hmm… ne të gjithë jemi të bukur, nuk ka si ne….
- Po… - thote ajo me naivitet, - nuk ka si ju…
Une kam shtrirë pëllëmben mbi foton e tyre, ndërsa ajo përpiqet të ma mënjanojë, pëllëmba ime ka lënë zbuluar vetëm fytyrën e nënës sime, fytyrën e tim eti… e ka mbuluar të gjithën… Shoqja ime përpiqet të ma zhvendosë dorën, por unë nuk e largoj… - Shiko nënën time… - i them pas pak, - shiko…
- Po vërtet… -thote ajo mirësjellshëm, - por edhe babai yt…
- Jo, jo… nëna ka dalë bukur… – këmbëngul unë, ndërsa pëllëmba ime, vazhdon t’ia mbulojë fytyrën tim eti.
Jam sërish në ballkon.
Më ka zënë gjumi pa ngrëne darkë.
Libri i biologjisë më është rrëzuar nga duart. Mësuesja kujdestare ka thirrur në një takim prindërit e mi. Ajo është e shqetësuar për mua. Kohët e fundit kam rënë nga mësimet. I dukem e papërqëndruar.
Im atë afrohet pa zhurmë. Unë i ndjej hapat e tij. Ai më merr në krahë dhe më çon në dhomën time, më shtrin në krevat dhe më puth në ballë.
- Më fal vogelushe… – mërmerin ai pa zë.
Unë vazhdoj t’i mbaj sytë mbyllur. Gjumi më ka dalë plotësisht.
Ai largohet i krrusur, ndërsa tërheq derën pas vetes.
Tashmë i kam hapur sytë.
Lufta ime me të, ka vetëm pak që ka filluar.
©Arlinda G.
Varrmihësi
Dita i kishte nisur mbarë. Përveç faktit që nuk ishte aspak ftohtë, atij që në mëngjes, i kishin thënë se duhej të hapte tre gropa.Të tre gropat duhej të përfundoheshin brenda orës dymbëdhjetë.
Ai punonte varrmihës në varrezën e qytetit. Nuk paguhej me rrogë fikse, por vetëm atherë kur kishte punë.
Ndonjëherë i qëllonte të rrinte kot me ditë të tëra, e ndonjëherë të rraskapitej aq shumë, se puna i vinte njëherësh…
Në pranverë, një muaj (majin), nuk kishte marrë rrogë fare. Njerëzit nuk vdisnin në pranverë. Stinë tepër e bukur për të vdekur.
Pranverave ai e harxhonte kohën duke u ngrohur në diell, apo duke iu gëzuar sytheve te një peme bajameje, që s’dihej se si ishte vetëmbjellë në anë të varrezave.
Ndonjëherë luante letra me arkivol – bërësin. Edhe ai e kishte barakën e tij të punës dy hapa larg varrezave. Të dyve, puna u vinte në të njëjtën kohë.
Ndonjëhere kur matanë gardhit të varrezave dy-katëshe ( kur bëhej fjalë për botën e përtejme, banorëve të atij qyteti të vogel, u hipte një dëshirë e shfrenuar për luks ), kalonte ndonjë i njohur i tij dhe e pyeste, nëse kishin patur punë, ai sipas rastit, i përgjigjej me fjalët një - rrokëshe, përkatësisht; “Po… ” ose “Jo…”
Njëlloj si tregëtarët e perimeve apo dyqanet e kinkalerive, edhe ai, punën më të madhe e kishte çdo fundviti.
Dukej se Zoti, nxitonte të mbyllte llogaritë me disa qënie, të cilat i kishte patur me mëdyshje në listën e tij. Dukej gjithashtu, se Ai kishte ngut t’i mbyllte këto llogari, përpara se të vinte Viti i Ri.
Nën diellin e butë të atij fillim-dhjetori, ai kishte punuar me terezi (do të shprehej gjyshja e tij, po të ishte gjallë), derisa i kishte hapur të tre gropat.
Ora ishte njëmbëdhjetë e gjysëm dhe ai kishte përfituar për t’u çlodhur pak mbi dheun e butë, të porsa-nxjerrë nga kraharori i nëntokës. Dheu ishte i shkrifët e i bukur për sytë prej profesionisti të varrmihësit. Por i kishin qëlluar edhe raste kur dheu protestonte heshturazi dhe ashtu kokëfortë, nuk e linte lopatën të futej në brendësi.
Ai nxorri një cigare nga paketa e tij, modeste, dhe e thithi fort.
Papritur dëgjoi një piskamë të forte, zëri femëror, që vinte prej një varri, ngjitur me varrin dy – katësh, të hamallit, të qytetit. Ky i fundit nuk kishte shumë kohë që kishte vizituar botën e përtejme. (Sa kishte qenë gjallë, hamalli kishte jetuar në një birucë të ngushtë, sa një brimë miu ).
Ai u ngrit në këmbë dhe vuri njërën dorë mbi ballë si strehë për të parë më mirë.
Një grua rreth të pesëdhjetave, e cila vetëm disa minuta më parë, kishte qenë duke u bërë gati për të qarë përpara një fotografie, klithte dhe qëllonte me majën e këpucës, mermerin e bardhë.
- Maskara… Don Zhuan, mizerje… - bërtiste gruaja përmes të qarave, duke vazhduar të qëllonte me majën e këpucës.
Varrmihësi iu afrua ngadalë, si te kishte frikë se mos papritur, gruas i shkrepej të qëllonte edhe atë.
Burri, të cilit gruaja i adresonte të sharat, krekosej shpërfillës në fotografi, me një vështrim të largët, pa e çarë kokën për goditjet që vinin prej majës së mprehtë të këpucës së gruas.
- Zonjë… zonjë !…
- Ikni… lërmëni në hallin tim… ikni !… – iu çorr gruaja varrmihësit.
- Zonjë… nuk është mirë të bërtisni këtu… zonjë !…
- E përse, mos vallë u prishet qetësia të vdekurve ?…
- Zonjë !…
- E shikon këtë maskarain… e shikon ?…
Gruaja i drejtoi gishtin fotografisë së burrit të krekosur.
- E shikon… ky maskarai… edhe i vdekur… më tradhëton !…
Varrmihësi murmuriti mbytur ca fjalë pa kuptim: - Kur… kush ?…
- Ç’janë këto, ëëëë… ç’janë këto ?…
Gruaja mori në dorë një tufë me trëndafila të kuq, të freskët, që ishin vendosur kujdesshëm afër fotografisë, i grisi e i bëri copë – copë, pastaj i hodhi te këmbët e varrmihësit.
- Kush ia ka sjellë ëëëë ?…
Varrmihësit iu kujtua menjëherë një femër e hijshme, rreth të tridhjetave, që mbante një shall në kokë dhe syze të errëta në sy.
Ajo e vizitonte shumë shpesh varrin dy – katësh. Sillte gjithmonë trëndafila të kuq. Nuk e hiqte shallin nga koka asnjëherë dhe as syzet nga sytë. Përkëdhelte fotografinë e burrit me gishtat e bukur, lyer me një manikyr me ngjyrë të fortë, pëshpëriste disa lutje nëpër dhëmbë dhe largohej me nxitim.
Varrmihësi u përpoq ta qetësonte gruan, duke i shpjeguar se gjatë karrierës së tij, dinjitoze prej varrmihësi, i kishte qëlluar shpesh herë të shihte vizitorë që ngatëronin varret. Madje ai i tregoi një rast, kur një vejushë kishte qarë me orë të tëra, mbi varrin e gabuar. Kur varrmihësi kishte nxituar t’i shpjegonte vejushës që ai nuk ishte varri i bashkëshortit të saj, asaj, jo vetëm që i kishin shterur lotët, por ia kishte shkrepur edhe gazit. (Nga eksperienca prej varrmihësi, ai kishte nxjerrë përfundimin se njerëzit depresivë, kalonin lehtë nga një gjendje emocionale, ne tjetrën).
Por përpjekjet e varrmihësit dolën pa rezultat. Pesëdhjetëvjeçarja nuk e hante atë kokër ulliri.
- E di unë se ç’mall kam patur për burrë… - turfullonte ajo.
U çorr edhe pak, pastaj e lodhur, u ul mbi një gur.
Mbasi u sigurua se gruaja nuk do të bërtiste më, varrmihësi u kthye te gropat e tij.
- Këtë muaj të paktën, do të kem ç’të firmos në bordero…- mendoi me vete.
Në një bllok të vjetër e të zhubrosur, (edhe pak të bërë pis prej gishtave gjithmonë të baltosur) kishte mbajtur shënim me kujdes, të gjitha gropat që kishte bërë atë muaj. Nuk ishin dhe aq shumë, por deri në fund të muajit, ai e dinte që fleta do të mbushej plot. Padyshim më mirë se në muajin maj, (fleta përkatëse e bllokut të atij muaji, rrinte gjithmonë e bardhë).
Por varrmihësi kishte edhe një bllok tjetër, të cilin e mbante në shtëpi, më me kujdes se të parin. Ai ishte nje bllok i bukur, i pastër me kapakë rozë. Në atë bllok, së bashku me gruan, kishin bërë listën e veshjeve që nuk kishin mundur t’i blenin bebit të tyre, të ardhshëm. Gruaja e tij ishte shtatzënë në muajin e nëntë. Ato veshje ende të pablera, të shënuara me një shkrim të bukur në bllok (ishte shkrimi i gruas së tij), vareshin prej rrogës që do të merrte ai në fund të muajit.
- Eh… botë e çuditshme !… - mendoi ai me vete, ndërsa pati një ndjesi bezdisëse në kraharor, kur i shkoi ndër mend fakti që rrobat e fëmijës së tyre, të ardhshëm, vareshin prej gropave që duhej të hapte…
Ai vështroi jashtë gardhit.
Bajamja anës varrezave i kishte rrëzuar të gjitha fletët… kishte mbetur kërcure.
Tutje në rrugën kryesore, ai pa makinën e errët të shefit.
Ora nuk kishte shkuar akoma dymbëdhjetë. Shënonte njëmbëdhjetë e dyzetë e pesë minuta.
Papritur ndjeu uri.
U ul mbi dheun e shkrifët dhe hapi qesen e bukës që gruaja ia përgatiste çdo mëngjes.U sigurua që shefi nuk mundte ta shikonte në atë pozicion ndenjeje dhe nisi të hante bukën me oreks.
Kur mbaroi së ngrëni, nuk haroi të nxirrte bllokun, e të shënonte në të, tre gropat e ditës.
@ Arlinda G.
Ata të dy
Ata të dy, ishin një çift i zakonshëm pleqsh.
Prej shumë vitesh, jetonin në një lagje të braktisur, në një qytezë, gjithashtu, të braktisur.
Muzgjeve, plaku vinte kasketën e lëkurtë, të rrjepur, vende – vende… dhe dilte rrugëve të shkreta, ku nuk pipëtinte asnjë frymë njeriu.
Kur nata binte dhe plaku nuk dukej te porta, plaka hidhte një shall mbi flokët e thinjur dhe dilte e kërkonte nëpër natë.
Ndonjëherë e gjente të dehur, tek e vetmja kioskë karakatinë, e lagjes së vjeter, e cila, më keq se plaku, mezi mbahej për vete, në këmbë…
E ndonjëherë, e takonte rrugës, së bashku me ndonjë fqinj të lagjes tjetër, i cili e sillte plakun përkrahu. (Në lagjjen e largët, në anën tjetër të qytezës, fatmirësisht kishte mbetur pa emigruar, tek – tuk, ndonjë « i ri »).
« I riu », i’a dorezonte plakes, trupin që lëkundej si purtekë, pastaj largohej me nxitim…
Ndërsa plaka e mbante për krahësh, plakut i binte kasketa e rrjepur.
Plaka ulej me vështirësi dhe e ngrinte kasketen nga toka, pa bërë zë.
Ky ritual përsëritej me të njejtën përpikmëri, çdo herë që plaku pinte.
Mbas mbrritjes në shtëpi, plaku ulej kembëkryq në qoshen e tij dhe niste të këndonte. Plaku këndonte nëpër dhëmbë një këngë të vjetër, e cila nuk kuptohej mirë, nëse ishte e gëzuar apo e trishtuar.
Ai kishte zë të bukur.
Zëri i zbukurohej më shumë prej rakisë, e cila shpesh herë e bënte më të ndjeshëm… e shpesh herë, e bënte të derdhte edhe ndonjë pikëz lot…
Kur plaku këndonte… plaka shfrynte…
I shfryhej plakut, vetes, botës, Zotit…
Plaku ndërpriste kengen një çast dhe i bërtiste: « Ç’ke me zotin moj « virane »… lëre Zotin atje ku është…! ».
Pastaj vazhdonte këngën përsëri.
Mërmërima e asaj kënge të vjetër, e bënte plakën të kujtonte rininë, ish - bashkortin e saj të parë, dashurinë e madhe të jetës së saj, nga e cila, fati e kishte ndarë pakuptimisht.
Plaku mërzitej se të shfryrat e saj, i ndërprisnin këngën… kështu niste ti bërtiste plakës (të vetmes spektatore të pavëmendshme, të këngës së tij…)
Pikërisht atherë plaka heshtte…
Heshtja që pasonte më pas, e bënte plakun të niste të kujtonte edhe ai, ish - bashkshorten e tij të pare, dashurinë e madhe të jetës së tij, nga e cila, edhe atë si plakën, e kishin ndarë pakuptimisht.
Plaka zemerohej se ai i ndërpriste rrjedhën e kujtimeve (ai ishte i vetmi dëgjues i heshtur i psherëtimave te saj ), kështu ajo niste ti bërtiste plakut…
Pikërisht atherë plaku heshtte.
Kështu gdhiheshin e ngryseshin ditët në atë lagje të braktisur prej kohesh, prej të rinjve, prej të tjereve, e ndoshta prej vetë Zotit…
Plaka çohej në të gdhirë dhe rregullonte shtëpinë. Rregullonte kujdesshëm çentrot kushedi sa vjeçare të punuara me grep, prej saj, në kohët kur kishte qenë nuse e re.
Sistemonte divanët me merak..
Lante dyshemenë dhe fshinte oborrin me fshesën e ngrënë.
Diteve të vjeshtës ajo mundohej më shumë se zakonisht, pasi oborri mbushej plot, me gjethet që lëshonte pa kujdes, hardhia e vjetër.
Në këte mënyrë sedra e saj prej amvise të mirë nuk do të nëpërkëmbej, nëse në portë, do t’ia behte papritur, ndonjë mik i shumë - pritur.
Përkujdesjet e saj ndaj shtëpise, gjithmonë shkonin dëm, sepse në portë kushedi prej sa e sa kohësh, nuk dukej njeri…
E dorëzuar nga mendimi se në portë nuk do të shfaqej asnjë trajtë njerëzore, përveç ecjakeve të përditshme të maces nazike, në orët në vazhdim, në një tenxhere te vjetër, ajo gatuante drekën për vete dhe për plakun.
Macja rrinte sy - përndritur pranë sobës, me shpresën së plakës do ti shpëtonte vigjilenca dhe ajo do të arrinte ti rrëmbente ndonjë thelë mish nga tenxherja e vjetër…
Megjithatë macja ishte e qetë, sepse e e dinte se nëse nuk do të nxirrte gjë prej hutimit të plakës, padyshim do të nxirrte diçka nga bujaria e plakut, i cili, e ndante gjithmonë racionin e tij, përgjysëm me të…
Ditëve të ftohta të dimrit, kur malet mbuloheshin me mjegullën e bardhë, ata të dy pajtoheshin, ndërsa i hidhnin dru, me rradhë, sobës që kërciste me një zhurmë të bukur…
Tek dëgjonin në heshtje flakën që kërciste, ata komentonin me njëri tjetrin ndonjë lajm të dëgjuar rishtaz… nga ndonjë « i ri » prej lagjes së pertejme… apo nga televizori, i cili, mezi mundte të kapte një kanal të vetëm, televiziv.
Bota, së bashku me lajmet, bëheshin më të prekshme për ata të dy, ndërsa vërtiteshin rreth sobës, me kercitjen e druve në sfond.
Ditëve të ftohta të dimrit, macja futej për tu ngrohur, në brendësi të peliçes ushtarake të plakut dhe niste të bënte gër - gër…
Plaku i përkëdhelte gushën, ndërsa ajo e çonte më lart volumin e gër – gër – eve.
Vinte një çast kur macja lodhej nga përkëdheljet e plakut. Ajo ngrihej befas në këmbë, shkundte qimet e përhirta të kurrizit të saj, të shtruara prej dorës së plakut, i hidhte një sy sendeve përreth dhe i kafshonte gishtin, nëse plaku tentonte t’a përkëdhelte sërish…
E lodhur nga dashuria e plakut, macja hapte derën me putër dhe dilte jashtë… … njëlloj siç kishin dalë jashtë… bijtë e tyre… disa vite më parë…
Edhe ata të lodhur… ashtu si macja… kishin hapur derën dhe ishin larguar pa zhurmë…
…ashtu pa zhurmë ishin shpërndarë nëpër botë… nëpër atë botën… të cilën… plaku dhe plaka… e mallkonin përditë…
Pa zhurmë… kalonin edhe ditët…
Pa zhurmë… pemët çelnin sythe… më vonë i rrëzonin… më tutje çelnin përsëri nga e para… ndërsa te porta… vazhdonte të mos dukej njeri….
Edhe macja ndëronte qimet, njëlloj si pemët, derisa një ditë u plak edhe ajo.
Erdhi një dite dhe plaku u sëmur.
Në fillim sëmundja e pengoi të shkonte deri tek porta me kangjella të ndryshkura, më vonë e pengoi të shkonte deri te dera e dhomes së ndenjjes, e ca më vonë, e pengoi të ngrihej nga krevati…
Plaka i ndenji mbi kokë e përkushtuar, derisa plaku një ditë… ndërsa hardhia e vjetër i kishte rrëzuar të gjitha gjethet… mbylli syte…
Plaka e qau ashtu siç i ka hije një bashkëshorteje të mirë.
Siç i ka hije një bashkeshorteje të mirë, plaka pothuajse përdite, i shkon te varri.
Ajo qëron barërat e këqija, pastron me kujdes fotografinë e tij, e ndonjëherë i lë atje edhe ndonjë shishe raki.
Qysh mbas vdekjes së tij, plaka nuk e kujton më dashurinë e madhe të jetës së saj, ish – bashkshortin e saj, të parë…
Qysh mbas vdekjes së tij, ajo e vajton plakun përditë…
…ndërsa shtëpia… përditë vazhdon të rrënohet…
…ndërsa kangjellat… përditë vazhdojnë të ndryshken…
Ata të dy, ishin një çift i zakonshëm pleqsh…!
©Arlinda G.
Gdhendje
Përse, këmbëngulshëm,kërkon të më shndërosh
në dikë që nuk dua të jem ? si plastelinë të nënshtruar
nën gishtat e tu metodikë…
prej skulptori të rregjur… çukitja e daltës,
lëmon, egërsisht, sy-qeshjen time… e qara pason pa lagështi në sy…
zbrazëtia e shikimit,
zmadhohet pa nerv… dalta lëshon tinguj të mprehtë,
ndërsa ndesh rebelizmin skeptik të shpirtit…
kundrejt transformimit…
i cili, reziston dhe ca… i sfilitur…
pastaj dorëzohet në heshtje… ti lë përtokë daltën,
ndërsa sheh i mrekulluar klonimin,
ndez një cigare në cepin e buzës,
- dreq… - shan me vete,
- diçka paskam haruar… heshturazi, ri - merr në dorë daltën
dhe fillon të gdhendësh përhumbur,
shpirtin tënd…
Au printemps…
Mon dernier amour
est mort au printemps
Frêle, fragile,
Il naquit en hiver
C’était un amour
précoce…
Il vécut peu de temps
juste une parenthèse d’hiver
Et puis,
il ferma les yeux.
Personne ne se trouva
près de lui
à sa dernière heure.
Alors qu’à l’enterrement,
oh… à l’enterrement,
nous étions tous les deux.
Certes, le discours d’adieux
solennel
n’y manqua pas.
Et aussi, quelques larmes
de crocodile
(sur le fond)
Les cordes ne l’avaient
encore offert
à la terre
pendant que nous deux
mâchions, impatients,
comme un mégot jauni
la fuite.
Mon dernier amour
est mort au printemps
De lui,
Il me reste encore,
quelques pétales de fleur,
fanées, sur mes cheveux.
Ceci était sa vie,
ses poumons fragiles,
détruits par la gelée.
Et depuis,
le printemps venu,
tous les deux
nous allons fleurir
la tombe.
Comme une poche arrachée,
à chaque printemps,
mon cœur déborde
de sourires de mon amour
défunt
Mon dernier amour
est mort au printemps…
Et maintenant,
dîtes-moi,
comment peut-il mourir
un amour au printemps ?…
__________________
perktheu U.Nerguti
Quand j’abandonne mon rêve !
Où est-ce que je vais te laisser mon cher rêve…
mon fragile, mon encore non grandi,
mon rêve laissé en plein chemin…
Où est-ce que je vais te laisser ?
Comme un enfant sans défense,
tes bras autour de mon cou,
tu refuse de t’en aller…
…et moi, l’impitoyable,
moi, la cruelle,
j’enlève tes mains…
je te repousse…
je t’abandonne
sur un bout de terre stérile, assoiffé,
je te laisse là
pieds nus, mal vêtu…
et je m’en vais…
je m’en vais
mais je m’en veux
et je me retourne, je me lance vers toi
pour te serrer dans mes bras,
j’embrasse tes cheveux
tes yeux que j’ai eu tant de peine à les désigner…
j’embrasse les blessures de tes pieds
et mon souffle devient ton souffle
tu ris à coeur joie,
un bonheur à pleurer de rire
et moi…
je te regarde dans les yeux
et encore une fois je te dis… il faut que je te laisse
et cette fois-ci,
c’est toi qui t’éloigne de moi
c’est toi qui me repousse et me tourne le dos,
tu t’assois par terre et tes épaules tremblent de tes sanglots
et moi je m’éloigne toute partagée, la tête retournée en arrière,
je me dirige vers là-bas
où un autre rêve, plus facile, je dois choisir…
mais mon esprit reste là,
sur tes sanglots qui s’éloignent toujours plus
jusqu’à ce que le crépuscule t’envahisse tout entier
pardonne-moi mon rêve très cher,
pardonne-moi mon fragile, mon
rêve coupé en plein chemin,
pardonne-moi de ne pas oser te vivre,
pardonne-moi !
perktheu U.Nerguti
A l’accordéoniste aveugle
Une feuille,
imbue d’automne,
capricieuse,
embrasée…
se repose,
doucement,
sur ton chapeau…
Toi,
tu la vois pas…
tu la sens…
Toi,
solitaire,
avec ton vieux accordéon,
fais vibrer un air
d’un tango oublié…
Ton âme se balade,
doucement,
à travers les touches fendues,
collées,
par-ci par-là avec du scotch…
Assis, insouciant,
sur le trottoir…
…vêtu,
un costume gris,
terni par le temps…
…chaussé de pantoufles…
…et,
dans le creux du
chapeau,
rien ;
(précisément là où
le passant indifférent
devrait récompenser
son âme,
autant fendue que
les touches de l’accordéon…)
…là-dedans…
…se repose…
…doucement…
…une feuille capricieuse…
perktheu.U.Nerguti.