Kinema e vjetër
Kinema e vjetër, Kinema e braktisur,Ku prej kohësh më s’lozin filma të përsëritur,
Ku s’bëjnë më zhurmë njerëzit me karriget,
Ku në pushimet e seancave
S’shesin kikirikë.
Ekrani me njolla,
Megafonët prishur,
Stolat janë boshe si radhë të pashkruara;
Këtë poemë stolash të gjatë, të braktisur
Nga dera e vështroj
Plot mall e i menduar.
Kinema e fëminisë,
Kinema e rrëmujës,
Kam parë aq vende,
Kam parë aq salla,
Por n’asnjë prej tyre s’kam hyrë me aq bujë,
Sa tek ti,
E shtrenjta barakë,
E rralla!
Më mirë asgjëkund veten s’e kam ndier,
As në sallat luksoze me kadife që shndrit,
Megjithëse në to me leshverdha kam qenë,
Kurse tek ti vija
Me jevgun Rakip.
Lekë, lekë,
Të mbledhura me mundim paret,
Tingulli i gëzuar në biletari,
Afishet tek xhamia
Dhe tek Qafë e Pazarit
Të shkruara nga vetë portieri Qani. Për të njëjtin film tek njëra afishe
Shkruhej titulli ndryshe,
Te tjetra.
Por kjo asnjeriu punë s’i prishte. T’i falnin ty të gjitha,
E dashura,
E vjetra. Në atë copë ekran,
Për herë të parë,
Një copë të botës së gjerë ne pamë.
Në gjashtë metra katrore. Bota fund s’kish e anë,
Bota ngjante e shkëlqyer,
Ndonëse ekrani ish me arna. Dhe ne ishim me arna,
Me arna ish Republika,
Koha, bërrylat, shtetet ishin me arna.
Por në sytë tanë
Kish të tillë dritë,
Që nuk e patën kurrë
Më të ndriturat ekrane. Kinema e vjetër,
Kinema e braktisur,
Stola ku janë ulur varg
Ditët e fëminisë,
Cicëronjëse gjithmonë
Si një rresht zogjsh
Mbi një tel telefoni. Kinema e vjetër,
Kinema e braktisur,
Stola të rëndë, të gjatë, të vithisur.
Në çdo moshë që të hyj,
Në çdo vend që të vete
Si hamall këto stole
Do t’i marr me vete.
Nën shi…
Po ç’të të them tjetër, mikja ime ?…
ti vazhdimisht kërkon lajme nga unë,
si të duash të mbushësh me to,
humbëtirat tona, siamese…
E unë s’di ç’të them më…
përveç faktit që sot,
pemëve tek Rruga e Liceut,
rrebeshi ua shqeu krahët…
( nesër punëtorët e bashkisë do t’i fashojne, e hedhin në allçi
ndërsa ato do klithin heshturazi prej dhimbjes… )
…piktori i portreteve “me çmim të arsyeshëm”,
kish braktisur ca telajo, rrëzuar sëmbueshëm mbi trotuar;
( një sy të mjegulluar gruaje që pikonte bojë,
dy buzë fëmije,
e një kurriz plaku… që tretej e tretej… nën shi… )
Ah… po… për pak harrova…
sot, një i panjohur,
më ndihmoi të kapërceja rrëketë e frikshme mbi asfalt,
pasi unë kisha pritur gjatë… shumë gjatë… para tyre,
duke matur e stër-matur me sy, vendin ku duhej të shkelja,
oh… ti e di… që unë nuk shkel kund pa llogaritur më parë…
Ç’të them tjetër ?…
Në mbrëmje,
fletët e votimit, si pëlhura Penelope,
do vazhdojnë të numërohen, përtueshëm…
ndërsa une do vë kokën në jastëk,
pasi të kem dëgjuar edhe lajmet e fundit,
duke psherëtirë për të fundit herë,
për sandalet e mia, të këputura, ngjyrë rozë…
pastaj do mbyll sytë,
pa ëndra…
si një ekran bosh që nuk merr asnje stacion,
…ëndrat… u shitën të gjitha… te shumica…
Nënës…
Ti…
përditë rreshton kukullat e mia,
mbi komonë e vjetër,
pranë shtratit bosh…
Unë…
përnatë rreshtoj humbjet e mia,
nëpër rrudhat e portretit tënd,
varur në muret e dhimbjes…
© Arlinda G
Këpucët
Gruaja mbrrinte gjithmonë zbathur në takim. Burri qëndronte gjithmonë me kurriz, veshur me të njëjtën xhaketë të kadifenjtë. Ajo qëndronte disa çaste përpara tij, ndërsa ai kthehej ngadalë dhe i hidhte një nga ato vështrimet që vetëm ai dinte t’i dhuronte. Asaj i drithërohej çdo skutë e shpirtit dhe ndjente të kishte shume dritë përreth… por seç kishte një ndjenjë ankthi se mos ai ulte sytë dhe shikonte këmbët e saj, të zbathura.
Shqetësimi i saj ishte i pavend. Burri asnjëherë nuk i ulte sytë. Ai e shihte gruan drejt e në sy, me veshtrimin e ngrohtë, të papërsëritshëm… pa thënë asnjë fjalë…
Për çdo natë, ata të dy takoheshin në ëndër…
Çdo natë, me shputat e buta që nuk i vriteshin prej guriçkave, ajo endej rrugicave të shkreta me ecje somnaumbulje, për në takimin e saj, të dashurisë.
Për çdo natë, takimi ishte i parë…
Nuk mbathte këpucë. Kujtohej për to, vetem kur mbrrinte përpara tij, e frigohej si fëmijë se mos ai e vinte re këtë gjë.
Ajo ishte e aftë të ecte mbi parmakun e ballkonit të një ndërtese të lartë, shumë të lartë, dhe asnjëherë të mos rrezohej. Dinte ku të shkelte, pa u lënduar. Dukej se një forcë misterioze e drejtonte atë, në një jetë tjetër, paralel dhe krejt ndryshe, nga ajo që jetonte kur qe zgjuar.
Mëngjeseve, ajo niste përhumbur, rrugëtimin e saj, të përditshëm, nëpër botën me ngjyra të kursyera, në të cilën jetonte, jo per zgjedhje te saj. Mëngjeseve i mbathte këpucët. Këpucët e saj, të ngrëna, të përbaltura, me baltën e tharë, të ditës së mëparshme. I mbathte pa i pastruar më parë. I dukeshin të lodhura këpucët e saj. Në të vërtetë këpucët ishin paksa të vjetra por asaj i dukeshin më shumë të lodhura… të lodhura e të rraskapitura së renduri pas ëndrave të ditëve me diell që asnjëherë nuk mundi t’i prekë.
E kërkonte kudo njeriun misterioz, edhe pse nuk e dinte se në ç’cep të planetit jetonte, ( nëse ai ekzistonte… padyshim që po, ndryshe nuk kishte si shpjegohej gjithë ajo dritë ). Ajo nuk e dinte përse ai i vinte për natë, në të njëjtën ëndër… Shpesh pyeste veten nëse drithërohej edhe ai kur e shihte të mbrrinte…
Të gjitha këto i mendonte gjatë ditës. Ditëve, ajo nuk kishte shumë për të bërë, përveçse të pëshpëriste lutjen e saj, të përhershme, që muzgu të binte shpejt. Nuk trishtohej për këtë… netëve kishte gjithçka… Netët, në të kundërt nga ditët, po tregoheshin ekstremisht bujare me të..
Në mbrëmje, përpara se të binte për të fjetur, ( përpara se te binte në ëndër ), rregullohej për një kohë të gjatë para pasqyrës, duke lëvizur kujdesshëm krehërin e vjetër mbi flokë, pastaj, mjaftonte të mbështeste pakëz kokën në jastëk e të mbyllte sytë… dhe kishte gjithë botën.
Deri atë natë, kur nuk mundi më të bjerë në gjumë…
Ajo mbyllte syte me forcë, por gjumi nuk donte të vinte. Zemra filloi t’i rrahë e shqetesuar… Ajo asnjëherë nuk kishte munguar në takim. Ai do shqetësohej. Mund të mendonte se ajo nuk e donte më. U përpëlit për një kohë të gjatë në shtrat, pastaj u ngrit, ndezi dritën, hodhi një triko krahëve dhe, duke u dridhur nga të ftohtët, doli të blejë ca kokrra valium në farmacinë më të afërt. Nuk donte kurrsesi të vonohej në takim. Ai po e priste.
U kthye nga farmacia dhe u rregullua sërish para pasqyrës. Edhe një herë, filloi të shpërndante nëpër fytyrë kremin e saj, të natës. Edhe një herë, limoi me krehër ondet e gështenjta… Ndëroi këmishën e natës dhe veshi më të mirën që kishte.
Ngutej. Buzëqeshja e tij, qiellore, po e priste ta ngrohte.
Ajo i piu të gjitha kokrrat e valiumit… dhe gjumi, ashtu siç shpresonte, nuk vonoi ta nanuriste.
Në takim mbrriti duke iu marrë fyrma.
Ai qëndronte me kurriz, si gjithmonë, veshur me të njëjtën xheketë të kadifenjtë. U kthye nga ajo, me të njëjtin vështrim qiellor, dhe e morri në krahë. Ai asnjëherë nuk kishte guxuar kaq shumë, ai asnjëherë nuk e kishte marrë në krahë… dhe çuditërisht, për të parën herë, ajo nuk u frigua se ai do t’i shikonte këmbët e zbathura…
Mëngjesi trokiti ngadalë… ndërsa ajo… nuk u zgjua të mbathte këpucët e saj, të lodhura…
Nuk u zgjua më… kurrë…
Somnaumbulve nuk u duhen këpucë për të ndjekur ëndrat.
© Arlinda G.
Korrik, 2007..
Poezi nga Ndoc Gjetja
1.Pesë mijë palë këpucë
(Në kampin e shfarosjes Aushvic)
Shoh pesë mijë palë këpucë të vjetra
me lidhësa, pa lidhësa, të gjitha pa lustër
të vogla, të mëdha për meshkuj për femra
që dergjen këtu të hedhura grumbull
Dhe mua më duket ky pirg këpucësh
njerëzish të djegur në një natë krimesh
më i lartë se maja e Xhomolungës
më i shenjtë se mali Sinai i Biblës
Përpara pirgut qëndroj i heshtur
me zemrën rënduar nga fate planeti
dhe veten pyes - Mos qenkam në ëndërr ?
Se njëra kepucë lëviz nga vendi.
… Një tjetër më tutje e drodhi lëkurën,
pastaj e dyta, e treta, e katërta
të gjitha me rradhë e flakën përgjumjen
pesë mijë palë këpucë u bënë të gjalla.
… Tjetra ka lënë fëmijën në gjumë,
tjetra ka lënë kafen ekspres,
tjetra ka lënë qilimin pa shkundë
tjetra ka lënë një puthje në mes.
Tjetra ka lënë gjithë lulet pa ujë,
tjetra ka lënë ilaçet pa pirë,
tjetra ka lënë krevatin rrëmujë,
tjetra përgjysëm një fjalë të mirë.
Dhe vihen në rresht… Kërkojnë të ecin
me këmbët përkatëse përkrah të gjallëve
se njëra ka lënë përgjysëm të qeshurën,
se tjetra ka lënë përgjysëm një valle.
Dhe befas hapet një pamje makabër;
pesëmijë palë këpucë pa këmbë
tërhiqen zvarrë në barin e lagur,
në fushën e gjerë të larë me hënë.
Dhe ecin,
dhe ecin,
dhe ecin,
dhe ecin
si në tragjeditë e Shekspirit
Pesë mijë palë këpucë përshkojnë planetin
që t’i kujtojnë njeriut Aushvicin.
2.Pemë dekorative
Këto pemë dekorative përpara dikasterit të shtetit
burokracia do t’i ketë mbjellë me dorën e saj patjetër,
i ka vënë të gjitha në një kolonë të drejtë për një,
të barazarguara me një saktësi të tmerrshme.
Dhe kurorat e gjelbërta ua kanë qethur me gërshërë
(si kokat e ushtarëve në ditën e rekrutimit)
që të mos harlisen degët kur të vijë pranvera
e t’u parandalohet prirja për të çelur gjethe.
Të gjorat peme ! Të qethura ! Pa zogj. Të ngrira.
drithërohen nga malli për krehërin e erës.
Sot shkova dhe pash asfaltin e zi poshtë tyre,
kish filluar të cahej nga protesta e rrënjëve.
3.Një heshtje e bukur
Ka heshtje që na thonë gjëra të bukura,
si për shembull fytyra e gruas
në orët e vona të natës
kur e pagjumë numëron me vete
ditët e fundit të barrës.
Ec e thuaj po munde këtë heshtje
ti, muzikant, me nota
ti, piktor, me ngjyra
ti poet me vjersha
dhe ti, aktore e famshme
me gjeste dhe fjalë !
Për ta thënë duhet të jesh
nje grua shtatzënë
domethënë
dyfish e gjallë.
Poezi nga Sean Thomas Dougherty
Sonet amerikan mbi kuti kartoni frutash Campesina shkruhet mbi këtë kuti, një për kutinë e lëvizshme të kutive të bananeve, ananasit, mangove kuti nga Argjentina, El Salvador, kuti nga Guatemala, Nikaragua, Brazil, një kuti nga Brazili, kuti ekuadoriane, kuti Ushqimesh Peter nga kutitë e Paraguait, kuti specdjegësh uruguaiane, kuti Neruda si kutitë e sendeve të humbura të Joseph Cornell-it, sendeve të gjetura: gishtërinj, duar, gjymtyrë thonj, qafë, një kuti për të mbartur libra, kuti Campesina, një kuti për kuti revolucionesh, kuti solucionesh, evolucionesh një kuti për të ruajtur biografinë e Çe’-së, një kuti për Coup de Tete për të mos lënë nada ninguno por të vdekur, kuti bosh vulosur fshatar, grua, punëtor, një kuti për t’u ndjerë Gringo: një kuti për ty Darvini erdhi i paftuar në festë Darvini erdh’ i paftuar në festë Madje solli me vete gjithë shokët e tij majmunë, I kërceu përsipër asaj breshkës gjigante Dhe zuri të flasë për evolucionin. Të ftuarit filluan të zhduken mistershëm Të sapoardhurit pa emra U dystuan në vendet që s’ishin ftohur ende Mbi divan: Fytyrat e tyre dukeshin të njohura çuditërisht Si kushërinj që s’i ke parë prej vitesh. Përktheu nga anglishtja: Silvana LekaTre vetë me biçikleta ( copëza )
Një gjë tjetër që nuk duhet të bësh në rrugët e Gjermanisë, është të mos ushqesh kuajt, mushkat ose gomerët që i përkasin ndokujt tjetër. Po të hipi në kokë që të ushqesh gomarin e ndokujt tjetër, duhet të lësh takim me kafshën dhe duhet t’i japësh tagjinë në ndonjë vend të autorizuar. Nuk lejohet të thyesh ene qelqi ose porcelani në rrugë, madje në asnjë vend publik. Dhe nëqoftëse e bën këtë duhet të mbledhësh copërat e thyera. Pasi i ke mbledhut të gjitha bashkë, këte s’di ta them. E vetmja gjë që di me siguri, është se nuk lejohet t’i lini ato gjëkundi, apo t’i merrni me vete. Pra duhet t’i mbani derisa të vdisni e të varroseni me to, mbase ju lejohet t’i gëlltisni.
Në Gjermani duhet ta përmbani veten të mos hidhni sende nga dritarja. Kjo gjë nuk lejohet as për macet. Javën e parë të qëndrimit tim në Gjermani, u zgjova në mes të natës nga zhurma që bënin macet. Një natë ato më çmendën fare. Grumbullova te dritarja një arsenal të vogël; tre copa qymyri, ca dardhë të forta, dhjete bishta qirinjsh të djegur, një vezë të madhe që e gjeta në tavolinën e kuzhinës, një shishe bosh që kishte qenë me ujë të gazuar dhe ca gjëra të tjera të kësaj nayre. Pastaj hapa dritaren dhe i flaka andej nga vinte zhurma. S’besoj se godita gjë. S’ka bërë vaki ndonjëherë që ndokush të ketë goditur një mace, edhe në rast se e sheh mirë atë. Mbase vetëm rastësisht nëse merr nishan diçka tjetër. Kam parë nishanxhinj të përkryer që u shtinin maceve me çifte pesëdhjetë jardë larg dhe nuk u preknin asnjë qime.
Sidoqoftë ato u larguan. Mbase prej vezës.E vura re që në fillim që nuk ishte vezë e mirë. Pastaj u shtriva përsëri në shtrat duke menduar se më në fund incidenti e pat me aq. Dhjetë minuta më vonë dëgjova zilen e derës.Bëra sikur nuk e dëgjova, por ajo vazhdoi të binte me këmbëngulje. Kështu u detyrova të ngrihem nga shtrati, zhvesha rrobdëshambrin dhe zbrita poshtë te dera. Atje po më priste një polic. Ai i kishte mbledhur të gjitha sendet e hedhura prej meje nga dritarja duke bërë një kapicë me to përpara derës sime. Mungonte vetëm veza.
Të tuat janë këto sende ? më pyeti.
Ishin të miat, por tani kam hequr dorë prej tyre, mund t’i marrë kush të dojë edhe ti mund t’i marrësh.
Por ai nuk pranoi.
Ti i hodhe këto gjëra nga dritarja?
Po, i thashë, unë i hodha
E pse i hodhe ato nga dritarja ? më pyeti ai. Një polic gjerman ka kodin e tij të pyetjeve. Ai nuk e ndryshon kurrë atë.
Ua hodha ca maceve, iu përgjigja unë.
Cilave mace ? pyeti ai.
Ishte një pyetje tipike e nje polici gjerman. Une iu përgjigja duke i dhënë zërit një ton sarkastik se me vinte turp t’i thosha që nuk e dija cilave maceve. Ato ishin të huaja për mua, por në rast se policia do mblidhte të gjitha macet e asaj zone, me siguri do t’i njihja nga zëri.
Polici gjerman nuk e kupton shakanë dhe e dija mire se mund te haja një gjobë të rëndë po të bëja shaka me uniformën gjermane. Kjo quhej fyerje ndaj nje zyrtari. Ai më shpjegoi se nuk ishte detyra e policit të më ndihmonte të gjeja macet Detyra e tij ishte të më gjobiste për gjërat që kisha hedhur nga dritarja.
Unë e pyeta se ç’duhejt të bënte ne Gjermani dikush që zgjohej në mes të natës nga mjaullima e maceve dhe ai më shpjegoi se mund të ngrija një padi për të zotin e maceve. Policia do ta paralajmëronte dhe në rast se nuk do merreshin masa, macja do të vritej. Se kush do ta vriste dhe çfar do bënte macja gjatë këtij procesi, ai nuk ma shpjegoi.
Unë e pyeta se si ta zbuloja të zotin e maceve. Ai u mendua pak, pastaj më sugjeroi ta ndiqja macen deri ne shtëpi. Unë e lash me aq se kisha frikë se mos thosha gjësendi që do ta katranoste punën më keq. Si përfundim, ai sport nate më kushtoi dymbëdhjetë marka dhe asnjëri prej oficerëve gjermanë që më morën në intervistë në lidhje me këtë çështje, nuk pa aty diçka për të qeshur.
…
Në parqet gjermane ka rrugë të veçanta për kategori të ndryshëm njerëzish dhe cilido person, sido që ta ketë hallin e ka rreptësisht të ndaluar të shkojë në rrugën e një personi tjetër. Ka rrugë të veçanta për ata që shkojnë me biçikleta dhe të tjera për ata që shkojnë në këmbë, ka shëtitore për kalorësit, rrugë për makina të lehta, për makina të rënda, rrugë për fëmijë dhe rrugë për zonja të vetmuara.Është për t’u çuditur, si nuk ka akoma rrugë për qerosët apo rrugë për beqarët.
Njëherë në Grose Garten në Dresden, pashë një zonjë plakë që qëndronte në mes të një kryqëzimi prej shtatë rrugësh. Në secilën prej tyre kishte një shënim kërcënues që paralajmëronte cilindo, të mos kalonte në shtegun që s’ishte për të.
A mund të më ndihmoni ? tha zonja kur mësoi se une flisja anglisht dhe lexoja gjermanisht .A mund të më tregoni se çfar jam unë dhe në ç’rrugë duhet të shkoj ?
Unë e kqyra me vëmendje nga koka deri tek këmbët. Dola në përfundimin se ajo ishte e “rritur” dhe “këmbësore”.pastaj i tregova rrugen ku duhej të ecte. Ajo e pa e zhgënjyer.
Po unë s’kam punë atje, tha, nuk mund të shkoj këtej ?
Jo, jo, Zot, ç’thua ashtu zonj? Ajo rrugë është rezervuar për fëmijët.
Po unë s’do t’u bëj keq atyre dhe duke buzëqeshur S’dukej nga ato që u bënin keq femijëve.
Zonjë. i thash une, po të ishte në dorën time, do t’iu lija të shkonit në atë rrugë, edhe sikur djali im të ishte në fund të saj, por ja të tilla jane ligjet e këtij vendi.
Po të guxosh të shkosh në atë rrugë të pret një gobë e sigurt, në mos burgu.Ja tek është rruga jote, kjo duket qartë,.dhe po të dëgjosh këshillën time, nxito sa s’është vonë se nuk lejohet të rrish këtu e të ngurrosh.
Po ajo nuk shkon në drejtimin që dua unë
Ajo shkon në drejtimin që duhet të duash të shkosh, i thash unë dhe u ndamë.
…
Nuk është puna se qeveria gjermane e ka lënë ne haresë femijën gjerman.
Për të ka vende të caktuara në kopështet apo parqet publike, gjermane.
Para secilit prej tyre ka një kapicë të madhe prej balte me të cilën mund të luajë sa të kënaqet duke bërë petulla apo duke ngritur kështjella.për një fëmijë gjerman një petull e bërë nga ndonjë baltë tjetër e jo prej saj, do t’i dukej petull imorale. Ajo nuk di t’i falte asnjë lloj kënqësie. Shpirti i tij do ndihej i revoltuar ndaj saj. Ajo petull do t’i thoshte vetes ai, nuk është e rregullt, sepse nuk është bërë nga qeveria për ketë qëllim. Vetëm të këqija mund të presësh prej saj. Ajo është baltë e jashligjshme.
nga Jerome.K.Jerome (1859-1927)
Përktheu: A. Miraka.
Naten ne Helsinki
Shiu befas pushoi, Vrapojne njerezit. Streheve, Dancingjeve, Futen me rradhe. Vetem statujat s’i lene piedestalet, Sikur tremben mos ua zene vendin. Te gjallet. Ne rruge vrapojme ne te dy Le te shkojne statujat te pushojne pak, Ne vendin s’ua zeme kurrsesi, O, mbi piedestale eshte merzi, Nen shi, jemi te perjetshem Sonte bashke.American Democracy
Delja, rënkoi bark-gërryer, grahmat e fundit… shuhtaz… Buzë – dridhur, bariu i vogël, i mbylli sytë, e kokën, mënjanë e ktheu, shpirtlëshuar, kur ajo, për të fundit herë, përpëliti këmbët… peng-mbetur… që shkoi pa u bërë nënë… Qengjin, një predhë, ia shqeu prej plaçentës, pa mëshirë… Një predhë……e ardhur… prej andej, nga ku, dikur… vinin dallëndyshet… një predhë… sipër së cilës shkruhej me bojëra optimiste; American Democracy…©Arlinda G.
